Spanja shënon rritje të shifrës ditore të viktimave të koronavirusit
Gjatë 24 orëve të kaluara, Spanja i regjistroi 244 të vdekur nga koronavirusi. Kjo shifër është më e lartë se viktimat që u shënuan ditëve të fundit, kur shifra ishte nën 200.
Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 tash ka shkuar në 25,817, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe rreth një mijë raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 220,325.
Spanja duket se do ta vazhdojë gjendjen emergjente edhe për dy javë të tjera, ndonëse i ka lehtësuar disa masa të kufizimeve. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pritet të sigurojë vota të mjaftueshme nga deputetët të mërkurën për zgjatjen e afatit të gjendjes emergjente.
Nëse miratohet në kuvend, kjo do të ishte zgjatja e katërt dyjavore e gjendjes emergjente në Spanjë. Kryeministri Sanchez thotë se gjendja e jashtëzakonshme është e nevojshme për kufizimin e lëvizjes.























