Në SHBA 33.3 milionë të papunë për një muaj
BKT
   Bota

Në SHBA 33.3 milionë të papunë për një muaj

Edhe 3.2 milionë amerikanë të tjerë kanë mbetur pa punë në javën e fundit, me shifrat e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po vazhdojnë të rriten që nga shpërthimi i koronavirusit.

Numri total i atyre që janë regjistruar si të papunë që nga mesi i muajit mars ka arritur në 33.3 milionë, raporton BBC.

Kjo nënkupton më shumë se 15 për qind e forcës punëtore në SHBA.

Gjithsesi, kjo javë shënoi më pak të papunë se 3.8 milionëshi sa ishte një javë më herët dhe përgjysmë më pak në krahasim me javën e parë të marsit kur vendet e punës i humbën 6.9 milionë amerikanë.

Vetëm dy muaj më parë, në SHBA shkalla e papunësisë ishte 3.5 për qind. Ajo ishte vlera më e ulët në 50 vjetët e fundit.

SHBA-ja është vendi më i prekur nga koronavirusi në botë me 1.2 milionë të infektuar e më shumë se 73 mijë të vdekur.