Kryeministri i ri i Irakut zotohet të normalizojë prodhimin e naftës
BKT
   Bota

Kryeministri i ri i Irakut zotohet të normalizojë prodhimin e naftës

Mustafa al-Kadhimi, ish-kreu i inteligjencës së Irakut, u betua si kryeministër të enjten.

Kryeministri i ri i Irakut të enjten u zotua me programin e qeverisë së tij për të normalizuar prodhimin e naftës të vendit dhe rinegociimin e kontratave me kompanitë ndërkombëtare të naftës për të pasqyruar ndryshimet e fundit në tregjet globale, raporton Anadolu Agency.

Mustafa al-Kadhimi, ish-kreu i inteligjencës së Irakut, u betua si kryeministër të enjten. Parlamenti i Irakut miratoi 15 nga gjithsej 22 ministrat e kabinetit të ardhshëm. Votimi për ministritë e naftës dhe të jashtme u shty për shkak se nuk u përzgjodh asnjë kandidat.

Në programin e qeverisë së tij, al-Kadhimi vuri theks të veçantë në politikën e naftës dhe u zotua të rigjallërojë "pjesën e prodhimit të naftës në Irak e cila u zvogëlua kohët e fundit".

Sipas këtij programi, qeveria gjithashtu do të paraqesë një projektligj mbi Ligjin e Kompanisë Kombëtare të Naftës në Irak dhe të krijojë një ekip për të negociuar ndryshimet në raundet e licencimit të naftës në Irak me kompanitë e naftës për të pasqyruar zhvillimet e fundit në tregjet globale.

Iraku u trondit nga protesta masive që nga fillimi i tetorit për shkak të kushteve të këqija të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adil Abdul-Mahdi të japë dorëheqjen.

Të paktën 496 irakianë u vranë dhe 17,000 të tjerë u lënduan që prej fillimit të protestave më 1 tetor, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut.

Për shkak të COVID-19, konsumi i naftës në të gjithë botën ka shënuar rënie gjatë muajve të fundit. Së bashku me mbushjen e vazhdueshëm të vendeve prodhuese të naftës në nivele maksimale, çmimet e naftës së papërpunuar në prill arritën nivelet më të ulëta që janë parë që nga viti 1999.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra në muajin prill nën 16 dollarë për fuçi, nga rreth 45 dollarë për fuçi pasi prodhuesit e OPEC të kryesuar nga Arabia Saudite dhe jo OPEC të udhëhequr nga Rusia nuk arritën një marrëveshje për të frenuar edhe më nivelet e tyre të prodhimit të naftës në takimin e tyre në Vjenë të Austrisë më 6 mars.

Që atëherë, të dy vendet janë angazhuar në një luftë çmimesh për të marrë një pjesë më të madhe të tregut duke rritur nivelet e tyre të prodhimit.