Steinmeier: Gjermaninë mund ta duash vetëm me zemër të thyer
BKT
   Bota

Steinmeier: Gjermaninë mund ta duash vetëm me zemër të thyer

Shënohet 75 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje gjermanëve të jenë vetëkritikë dhe të ndërgjegjshëm.

"Këtë vend mund ta duash vetëm me zemër të thyer”, deklaroi Steinmeier, në manifestimin e festimit qendror në Berlin. “Historia gjermane është një histori e thyer – e ngarkuar me përgjegjësi për vdekjen dhe për vuajtjet e miliona njerëzve”, theksoi Presidenti, duke shtuar: “Kjo ta thyen zemrën.”

Gjermanët duhet ta shikojnë historinë e tyre “në sy”, paralajmëroi Presidenti. “Marrja e përgjegjësisë historike ka rezultuar me mirëbesimin e popujve të tjerë ndaj vendit tonë. Ndaj edhe ne këtu në Gjermani mund t’i besojmë Gjermanisë sonë.” Këtu bën pjesë edhe “patriotizmi i pastër dhe demokratik”, theksoi Steinmeier.