Zelanda e Re pa asnjë rast me COVID-19 për dy ditë me radhë
Kryeministrja Jacinda Ardern tha se vendi u përball me kushtet më të vështira ekonomike që nga Depresioni i Madh për shkak të virusit.
Zelanda e Re sot nuk ka raportuar raste të reja të koronavirusit të ri (COVID-19), ditën e dytë me radhë pa ndonjë rast të ri dhe ditën e katërt që nga fillimi i javës së kaluar, transmeton Anadolu Agency.
Drejtori i përgjithshëm i Shëndetit, Ashley Bloomfield, tha se janë lajme inkurajuese teksa vendi përgatitet të lehtësojë shumë nga kufizimet e izolimit nga mesnata.
Shumica e bizneseve, duke përfshirë qendrat, dyqanet me pakicë dhe restorantet, do të jenë në gjendje të rihapen. Rregullat e distancës sociale do të mbeten në fuqi dhe tubimet do të kufizohen në 10 persona.
Heqja e kufizimeve do të përkojë me lëshimin e buxhetit vjetor të qeverisë të enjten.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha se vendi u përball me kushtet më të vështira ekonomike që nga Depresioni i Madh për shkak të virusit.
"Zelanda e Re do të hyjë në një dimër shumë të ashpër. Por çdo dimër përfundimisht pasohet nga pranvera, dhe nëse bëjmë zgjedhjet e duhura, mund t’i bëjmë banorët e Zelandës së Re të kthehen në punë dhe ekonomia jonë të ecë përsëri", tha ajo.























