Nigeri, shpëtohen 72 gra dhe fëmijë që mbaheshin peng nga Boko Haram
Sagir tha se në operacion u shpëtuan 34 gra dhe 38 fëmijë të cilët ishin rrëmbyer nga Boko Haram.
Në verilindje të Nigerisë janë shpëtuar 72 persona të cilët ishin marrë peng nga organizata terroriste Boko Haram, transmeton Anadolu Agency.
Zv. zëdhënësi i ushtrisë së Nigerisë, Musa Sagir, në një deklaratë për media njoftoi se ushtria zhvilloi një operacion kundër Boko Haram-it në fshatin Muktu të rajonit Borno.
Sagir tha se në operacion u shpëtuan 34 gra dhe 38 fëmijë të cilët ishin rrëmbyer nga Boko Haram.
Ai theksoi se në operacion u vranë 18 terroristë ndërsa shumë terroristë të tjerë u larguan të plagosur ndërkohë që u sekuestruan shumë municione.
Në lidhje me operacionin e ndërmarrë kundër Boko Haram-it, Sagir vuri në dukje se si pasojë humbën jetën 2 ushtarë dhe u plagosën dy të tjerë.
Ndërkohë nuk janë dhënë informacione në lidhje me kohën se kur janë rrëmbyer pengjet e shpëtuar.
Që nga viti 2009, rreth 20 mijë persona e kanë humbur jetën si pasojë e akteve të dhunës masive të Boko Haram-it, organizatë e cila është aktive nga fillimi i viteve 2000.
Organizata që nga viti 2015 e deri më tani ka ndërmarrë sulme edhe në shtetet fqinje si Kamerun, Çad dhe Niger. Të paktën 2.000 persona e kanë humbur jetën ndërsa rreth 3 milionë njerëz janë shpërngulur nga vendet tyre nga sulmet e organizatës në pellgun e liqenit të Çadit.























