COVID-19, Japonia do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme
BKT
   Bota

COVID-19, Japonia do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme

Japonia vendosi gjendje emergjente në fillim të muajit të kaluar për një periudhë prej një muaji për të luftuar COVID-19 dhe më vonë e zgjati atë deri më 31 maj.

Japonia do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme për pjesën më të madhe të vendit të zbatuar për të luftuar coronavirusin e ri (COVID-19), duke e mbajtur atë në fuqi në kryeqytetin Tokio dhe shtatë provinca të tjera, transmeton Anadolu Agency.

Vendimi për hequr gjendjen e jashtëzakonshme erdhi pasi qeveria e kryeministrit Shinzo Abe vlerësoi se pandemia "aktualisht nuk po përhapet gjerësisht" dhe numri i rasteve po bie vazhdimisht në 39 provinca.

Japonia vendosi gjendje emergjente në fillim të muajit të kaluar për një periudhë prej një muaji për të luftuar COVID-19 dhe më vonë e zgjati atë deri më 31 maj.

Vendi ka raportuar mbi 16 mijë raste të konfirmuara të koronavirusit deri më tani, ndërsa 678 njerëz kanë vdekur për shkak të infeksionit.

Megjithatë, qeveria vendosi të vazhdojë me situatën e jashtëzakonshme në Tokio dhe shtatë provinca të tjera, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo.

Ekspertët shëndetësorë kanë për detyrë të analizojnë të dhënat ditore të koronavirusit dhe gjendjen e fundit me të cilën përballen spitalet.

Yasutoshi Nishimura, ministri për Rigjallërim Ekonomik, u shpreh se "besojmë që është e përshtatshme për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme për prefekturat."

Përderisa vendi përparon në situatën me koronavirusin, njerëzit janë inkurajuar të zbatojnë "një mënyrë të re jetese" kundër infeksionit.

Udhëtimi midis zonave që janë në gjendje të jashtëzakonshme do të shmanget ndërsa njerëzve u është bërë e ditur që të mos marrin pjesë në vende të mbyllura dhe të mbushura me njerëz.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, numri i të infektuarve me COVID-19 ka tejkaluar shifrën 4.35 milionë, me mbi 297 mijë të vdekur dhe mbi 1.55 milionë të shëruar.