Moska zhbllokon rreth 300 milionë euro për kompanitë ajrore
Qeveria ruse njoftoi sot zhbllokimin e 23,4 miliardë rublave, rreth 293 milionë euro, për të ndihmuar kompanitë ajrore të vendit, të prekura nga epidemia e koronavirusit.
“Kompanitë ajrore kombëtare do të marrin 23,4 miliardë rubla për të kompensuar humbjet lidhur me përhapjen e koronavirusit të ri”, theksoi një komunikatë e publikuar në faqen e qeverisë ruse.
Kreu i Kremlinit urdhëroi gjithashtu mbështetjen e prodhuesve rusë të avionëve nëpërmjet ndihmave për kompanitë me qira të avionëve dhe realizimin e porosive publike për avionët.
Sipas kritereve të qeverisë, të paktën 60% e ndihmave të dhëna për kompanitë do të përdoret për pagesat e pagave të personelit.
“Pagesa e qirave dhe ajo e kostove të parkimit të pajisjeve, nga ana e tyre, nuk mund të tejkalojnë përkatësisht 30% dhe 10% të sasisë së ndihmës së dhënë”, thekson qeveria.
Kompania kombëtare “Aeroflot”, grupi i të cilës përfshin transportuesit “Rossia”, “Pobeda” dhe “Aurora”, ka depozituar tashmë një kërkesë mbështetëse”, theksoi Agjencia federale e aviacionit “Rosaviatsia”./atsh/























