Jep dorëheqje senatori amerikan
Një senator republikan në ShBA ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryesuesit të komitetit të rëndësishëm në Kongres, pasi telefoni i tij u konfiskua nga hetuesit që kishin urdhër-arrest për të evidentuar dyshimet se ai kishte informacionet konfidenciale për koronavisur që t’i shiste aksionet para se tregu të binte si rrjedhojë e krizës shëndetësore.
Senatori Richard Burr nga Karolina e Veriut do të largohet nga posti i tij si kryesues i komitetit të Senatit për inteligjencë, njoftoi lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.
“Senatori Burr më kontaktoi mua sot në mëngjes për të më informuar për vendimin e tij që të largohej nga pozicioni si kryesues i komitetit të inteligjencës gjatë kohës sa zhvillohen hetimet. Ne u pajtuam që ky vendim do të ishte në interesin e komitetit dhe do të hyjë në fuqi në mëngjesin e nesërm,” lexoi në një deklaratë McConnell.
Telefoni i Burr ishte konfiskuar nga FBI të mërkurën në mbrëmje, kur hetuesit i treguan urdhër-arrestin në shtëpinë e tij në Washington mes një hetimi që po vazhdonte për dyshimet nëse ai ishte përfshirë në tregti me informacione të brendshme, shkruan The Guardian.
Burr më herët mohoi se nuk kishte informuar publikun lidhur me shkallën e kërcënimit nga koronavirusi dhe po ashtu mohoi akuzat, duke thënë se ai ishte mbështetur në informacionet e qasshme për publikun kur kishte bërë tregti.
Senatori dhe gruaja e tij i shitën diku prej 628 mijë e deri në 1,7 milionë dollarë aksione në më shumë se 30 transaksione të ndara në fund të janarit dhe në mes të shkurtit, shkruan The Guardian, përcjell Express.
Më shumë se 80 mijë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi prej 11 marsit e deri më 11 maj, dhe numri i vdekjeve vazhdon të rritet.
Presidenti Trump deklaroi se “nuk dinte asgjë për vendimin e Burrit” por se “i vinte keq”.























