Masat kufizuese ulin fitimet e industrisë së diamanteve në Izrael
BKT
   Bota

Masat kufizuese ulin fitimet e industrisë së diamanteve në Izrael

Industria e diamanteve është një nga specialitetet e Izraelit që po vuan masat e rrepta kufizuese kundër pandemisë. Fitimet e sektorit janë ulur ndjeshëm në dy muajt e kaluar. Platformat e shitjes në internet shihen si e ardhmja për këtë degë të ekonomisë.

Izraeli i është rikthyer pjesërisht normalitetit pas fazës së parë të pandemisë, por sektorët e ekonomisë ende vuajnë nga masat kufizuese që vazhdojnë qëndrojnë në fuqi për koronavirusin.

Në Tel-Aviv ndodhet një nga qendrat kryesore në botë për prerjen dhe lëmimin e diamanteve.

Oborret e saj që dikur gumëzhin nga klientët qëndrojnë të zbrazura pasi kushtet e distancimit social dhe kufizimet për grupimin e njerëzve e bëjnë të pamundur punën e profesionistëve të fushës.

Sipas Joram Dvashit, presidentit të bursës izraelite për diamantet dhe zëvendësshefit të federatës botërore për bursat e diamanteve, tregtia e këtyre gurëve të çmuar ka rënë më 90 për qind nga viti i kaluar.

"Nëse kërkesa do rritet sërish, besojmë se çmimi i produkteve do jetë pak a shumë i njëjtë, si përpara virusit. Por mund t'ju them se fabrikat në Indi, në Izrael, në Belgjikë nuk po punojnë."

Për Izraelin, eksportet e diamanteve i siguruan vendit 9 për qind të totalit, ndërsa kriza e fundit i ka ulur fitimet me 300 milionë dollarë.

Në rang global, raportohet se prodhimi global i diamanteve gjatë këtij viti do të bjerë me 16 për qind sipas vëllimit dhe me 29 për qind apo 8,5 miliardë dollarë sipas vlerës, rënie kjo më e forta që nga kriza financiare e vitit 2008 kur thuajse e gjithë industria e gurëve të çmuar u detyrua të mbyllej.