Gjermania shënon 620 raste të reja të koronavirusit
Instituti gjerman i sëmundjeve ngjitëse “Robert Koch” njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar 620 raste të reja të infektimeve me koronavirus.
Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve me Covid-19 në ekonominë më të madhe të Evropës shkoi në 173,772 persona, duke e futur Gjermaninë në mesin e vendeve me më së shumti raste në Evropë.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 57 viktima të reja dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 7,881. Ky numër është shumë më i vogël në krahasim me viktimat që janë shënuar në Itali, Spanjë, Francë dhe Britani të Madhe.
Me qëllim të rimëkëmbjes ekonimike, qeveria gjermane e ka filluar lehtësimin e masave kufizuese, përfshirë hapjen e dyqaneve dhe fabrikave, shkruan “Reuters”.
Ndryshe, mbi 4.5 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus në mbarë botën, ndërsa më shumë se 307 mijë kanë vdekur, bazuar në të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins”.























