Turqia dërgon ndihma ushqimore në Jemenin e rrënuar nga lufta
BKT
   Bota

Turqia dërgon ndihma ushqimore në Jemenin e rrënuar nga lufta

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë i ka shpërndarë dy mijë pako ushqimore në Jemen si ndihmë për familjet në nevojë në shtetin e përfshirë nga kriza humanitare dhe nga një luftë e gjatë.

Udhëheqësi i delegacionit të Gjysmëhënës së Kuqe, Mustafa Aydin, tha se pakot me ndihma ushqimore janë shpërndarë në Marib si pjesë e fushatës për dhurimin e gjithsej pesë mijë pakove me ushqim në provinca të ndryshme të Jemenit.

Kjo fushatë ka për qëllim lehtësimin e problemeve të familjeve që po vuajnë nga pasojat e luftës gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, shkruan “Anadolu”. Fushata në Jemen ka nisur më 29 prill.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët e grupit Houthi e morën nën kontroll një pjesë të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza doli nga kontrolli në vitin 2015, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi sulme shkatërruese nga ajri me qëllim të kthimit të territoreve nën kontrollin e qeverisë që po luftohet nga rebelët.

Dhjetëra mijëra banorë të këtij shteti, përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt deri më tani. Rasti i Jemenit vlerësohet si kriza më e rëndë humanitare në botë tani për tani, sepse miliona njerëz janë të rrezikuar nga vdekja prej urisë.