Kryeministri bullgar akuzohet për përhapje të thashethemeve
Një televizion i pavarur bullgar e ka akuzuar kryeministrin Boyko Borisov për përhapje të thashethemeve të rreme pasi ai la të kuptohet se është duke punuar me urdhra të një oligarku që ndodhet në ekzil.
Të shtunën, Borisovi dy herë iu referua televizionit bTV, që është në pronësi amerikane, si “Bozhkov TV”, referencë për Vasil Bozhkov-in, biznesmeni më i pasur bullgar, i cili është duke qëndruar në ekzil në Dubai nga janari i këtij viti pas akuzave për mashtrim me taksa, tentim për ryshfet dhe krim të organizuar.
Kompanitë që janë në pronësi të këtij biznesmeni, i cili pasurinë e ka fituar përmes lojërave të fatit, kanë qenë kundërshtare të ashpra të medieve bullgare, përfshirë televizionin bTV, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
“E vlerësojmë alarmante atë që kryeministri Borisov po e thotë për bTV-në. Menaxhmenti i kompanisë as nuk ka pasur kontakt të ngushtë me z.Bozhkov, as nuk ka marrë para nga ai”, thuhet në një reagim të këtij televizioni.
Borisovi e ka shtuar kontrollin ndaj medieve që nga ardhja në pushtet në vitin 2009, duke ngjallur shqetësim në kryeqytetet perëndimore për lirinë e shtypit në ish-shtetin komunist.























