Një tajfun i fuqishëm po u afrohet Indisë dhe Bangladeshit
BKT
   Bota

Një tajfun i fuqishëm po u afrohet Indisë dhe Bangladeshit

Një ciklon i fuqishëm, i cili është formuar në ujërat e Gjirit të Bengalit, është duke lëvizur drejtpërdrejt drejt kufirit tokësor mes Indisë dhe Bangladeshit, duke shkaktuar rrezik për shkatërrim dhe përmbytje në dy shtete që ende janë duke luftuar me pandeminë Covid-19.

Cikloni “Amphan” është forcuar dhe është shndërruar në stuhi të kategorisë së katërt sipas vlerësimit të stuhive të Atlantikut. Ai po përcillet me erëra që po arrijnë shpejtësi deri në 240 kilometra në orë, ndonëse meteorologët parashikojnë se stuhia do të dobësohet para se të arrijë në sipërfaqe tokësore në orët e vona të së mërkurës.

Edhe nëse stuhia prek brigjet pasi të jetë dobësuar, ajo mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express. Tajfuni “Amphan” pritet t’i prekë zonat e varfra dhe me popullsi të dendur e infrastrukturë të dobët.

Fatkeqësitë natyrorë janë mjaft të zakonshme në Azinë Jugore, por kjo do të mund të ishte stuhia e parë e fuqishme që i godet Indinë dhe Bangladeshin pikërisht në kohën e një emergjence shëndetësore globale.

Deri të hënën në mëngjes, Bangladeshi i ka regjistruar mbi 22 mijë raste të koronavirusit dhe 328 viktima, kurse India i ka më shumë se 96 mijë të infektuar e mbi 3 mijë të vdekur. Asnjëri shtet nuk ka shënuar ulje të rasteve të reja.