Ua vranë nënat ,foshnjat afgane ushqehen me gji nga një vullnetare
Firooza Omar ndodhej në shtëpi kur dëgjoi për sulmin e përgjakshëm të javës së kaluar në një spital afgan.
Militantët e sulmuan repartin e maternitetit të një spitali në Kabul, duke vrarë së paku 24 persona. Në mesin e viktimave kishte foshnja të porsalindura, nëna dhe infermiere.
“Isha duke e ushqyer me gji foshnjën time dhe u mbusha me emocione. Mund t’i shihja vuajtjet e këtyre foshnjave”, tha gruaja 27-vjeçare, e cila punon si psikiatre.
Si nënë e një foshnjeje katërmuajshe, ajo vendosi të ndihmojë në një mënyrë të veçantë dhe u paraqit si vullnetare për t’u kujdesur dhe për t’i ushqyer foshnjat nënat e të cilave ishin vrarë ose plagosur në sulm.
Me përkrahjen e bashkëshortit, i cili u pajtua që të përkujdeset për fëmijën e çiftit gjatë kohës kur gruaja e tij të mos ishte në shtëpi, Firooza shkoi në spitalin e fëmijëve “Ataturk”, ku ishin vendosur gratë dhe foshnjat e mbijetuara.
“Kur shkova në spital, i pashë rreth 20 foshnja. Disa prej tyre ishin të lënduara”, tha ajo, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Stafi mjekësor ishte përpjekur t’i ushqente foshnjat me qumësht pluhur, por disa prej tyre e kishin refuzuar këtë lloj ushqimi.
“Fola me infermieret dhe më thanë që t’i ushqeja foshnjat që po qanin shumë. Natën e parë, ajo arriti t’i ushqente katër foshnja, njërën pas tjetrës. “Kjo e kishte një efekt qetësues tek unë. Isha e lumtur që kisha mundësi t’u ndihmoja”, thotë Firooza.
Ajo gjithashtu i kontaktoi disa miq për të mbledhur të holla për blerjen e pelenave dhe qumësht pluhur për foshnjat që nuk mund të ushqeheshin me gji./Përktheu: Nasuf Abdyli – Gazeta Express























