Shpërthim dhe të shtëna në Pakistan, vriten shtatë ushtarë
BKT
   Bota

Shpërthim dhe të shtëna në Pakistan, vriten shtatë ushtarë

Shtatë ushtarë janë vrarë në dy incidente të ndryshme në provincën Baloçistan, që shtrihet në pjesën jugperëndimore të Pakistanit.

Ushtria pakistaneze njoftoi të martën përmes një deklarate se gjashtë ushtarë u vranë dhe së paku katër të tjerë u plagosën, kur vetura me të cilën po udhëtonin ra në një bombë përderisa po patrullonin në zonën e quajtur Bolan.

Shefi i administratës lokale, Murad Kasi, tha se ushtarët e plagosur në këtë shpërthim janë dërguar përmes helikopterit në një spital të kryeqytetit provincial, Quetta. Në një incident tjetër, një ushtar u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me militantët në distriktin Kech të së njëjtës provincë, bëri të ditur zyra për informim e ushtrisë pakistaneze.

Deri më tani, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për ndonjërin prej sulmeve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Sulmet ndaj forcave pakistaneze të sigurisë në zonat kufitare me Afganistanin dhe Iranin janë shtuar muajve të fundit.

Gjashtë ushtarë pakistanezë u vranë nga një sulm me bombë në Baloçistan, afër kufirit me Iranin, më 8 maj.