India dhe Bangladeshi përfshihen nga reshjet e mëdha të shiut
India dhe Bangladeshi përfshihen nga reshjet e mëdha të shiut, pritet cikloni
Reshjet e mëdha të shiut dhe erërat i kanë përfshirë Bangladeshin dhe pjesën lindore të Indisë në kohën kur këtij rajoni po i afrohet një ciklon i fuqishëm nga ujërat e Gjirit të Bengalit.
Të dyja shtetet kanë evakuuar miliona njerëz për shkak të rrezikut nga cikloni “Amphan”, që pritet të arrijë në sipërfaqe tokësore në orët e vona të së mërkurës.
Përhapja e koronavirusit e ka vështirësuar punën e autoriteteve për evakuimin e popullsisë së kësaj pjese, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
India dhe Bangladeshi po synojnë që shkollat dhe disa ndërtesa të tjera t’i shndërrojnë në strehimore, por kësaj radhe nevojitet më shumë hapësirë në mënyrë që të respektohet distance fizike.
Policia e rajonit të Bengalit Perëndimor, që pritet të preket më së shumti nga stuhia, i tha BBC-së se njerëzit nuk po dëshirojnë të shkojnë në strehimore për shkak se po frikësohen se mund të infektohen me Covid-19.
Cikloni “Amphan” është stuhia e parë e fuqishme në Gjirin e Bengalit që nga viti 1999, kur një super-ciklon i kishte lënë të vdekur më shumë se 9 mijë persona.
Cikloni “Amphan” pritet të sjellë erëra me shpejtësi deri në 185 kilometra në orë, që mund të krahasohen me një uragan të kategorisë së pestë.























