Robotët i japin shtytje luftës së Ruandës kundër COVID-19
Robotët do të përdoren kryesisht për të administruar kontrollet e temperaturës, monitorimin e statusit të pacientit dhe mbajtjen e shënimeve mjekësore të pacientëve me COVID-19.
Robotët tani janë pjesë e luftës së Ruandës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe do të ndihmojnë në minimizimin e rrezikut nga infeksionet në mesin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, theksuan të martën autoritetet, raporton Anadolu Agency.
Pesë robotë anti-epidemikë, me emrin Akazuba, Ikirezi, Mwiza, Ngabo, dhe Urumuri, do të përdoren kryesisht për të administruar kontrollet e temperaturës, monitorimin e statusit të pacientit dhe mbajtjen e shënimeve mjekësore të pacientëve me COVID-19, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në disa shkrime në Twitter.
"Këta robotë të teknologjisë së lartë kanë aftësinë të ekranojnë 50 deri në 150 njerëz në minutë, të shpërndajnë ushqim dhe ilaçe në dhomat e pacientëve, të kapin të dhëna dhe të njoftojnë oficerët në detyrë për anomalitë e zbuluara", tha ministria.
Ministrja e Shëndetësisë, Ngamije Daniel, tha se robotët do të shpejtojnë ofrimin e shërbimeve dhe do të ndihmojnë në mbrojtjen e jetës së punonjësve të shëndetësisë.
"Mjekët dhe punonjësit tjerë të vijës së frontit vizitojnë shumë herë dhomën e pacientëve për të ofruar ilaçe, ushqime, duke kryer teste, ndër të tjera, dhe kjo mund të rrisë rrezikun e tyre për kontraktimin e virusit", Daniel u citua të thoshte nga e përditshmja lokale “The New Times”.
Ruanda, një qendër kryesore e inovacionit dhe teknologjisë në Afrikë, ka regjistruar 308 raste me koronavirus deri më tani, me zero vdekje dhe 209 shërime, sipas shifrave zyrtare.
Deri më tani, janë kryer më shumë se 52.300 testime në vendin me mbi 12 milion banorë.























