Ushtria libiane shkatërron një sistem raketor të përdorur nga Haftari
"Sistemi i raketave Pantsir me të cilin u furnizuan militantët e Haftarit nga Emiratet e Bashkuara Arabe është shkatërruar", tha zëdhënësi i operacionit “Vullkani i Tërbimit”, Abdul-Malik al-Madani.
Ushtria libiane sot ka shkatërruar një sistem mbrojtës ajror të prodhuar nga Rusia i përdorur nga forcat besnike të kryekomandantit Khalifa Haftar në qytetin Terhune, raporton Anadolu Agency.
Abdul-Malik Al-Madani, zëdhënësi i operacionit “Vullkani i Tërbimit” i udhëhequr nga qeveria për AA tha se "sistemi i raketave Pantsir me të cilin u furnizuan militantët e Haftarit nga Emiratet e Bashkuara Arabe është shkatërruar".
Fotografitë e një automjeti ajror pa pilot të ushtrisë libiane që shënjestroi një hangar u shpërndanë po ashtu në mediat sociale dhe në shtypin lokal.
Ushtria libiane njoftoi se pasi mori bazën ajrore strategjike Al-Watiya në pjesën perëndimore të vendit nga milicitë e Haftarit, kishte kapur një sistem të mbrojtjes ajrore të llojit të njëjtë që Emiratet e Bashkuara Arabe i kishin dhënë milicisë.
Haftar, udhëheqësi i forcave të armatosura ilegale në lindje të Libisë, ka intensifikuar sulmet ndaj civilëve që nga fillimi i majit pasi ushtria libiane kohët e fundit fitoi një avantazh dhe u shkaktoi humbje të rënda militantëve të tij.























