Takim i NATO-s pas vendimit amerikan për tërheqjen nga OSA

Takim i NATO-s pas vendimit amerikan për tërheqjen nga OSA

NATO do të zhvillojë sot një takim urgjent pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se vendi i tij do të tërhiqej nga Traktati i Qiejve të Hapur (OSA).

Një zyrtar i NATO-s tha në një deklaratë se vendet anëtare pajtohen që marrëveshjet e kontrollit të armatimit dhe çarmatimit të kontribuojnë ndjeshëm në sigurinë e aleancës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar që Rusia do të kufizojë fluturimet në disa zona”, tha zyrtari i NATO-s, duke theksuar se në Samitin e NATO-s 2018 në Bruksel, aleatët kishin shprehur shqetësime për zbatimin e pjesshëm të OSA-s nga ana e Rusisë.

”Do të tërhiqemi nga marrëveshja derisa Rusia të zbatojë përgjegjësitë e saj”, deklaroi dje presidenti amerikan, Donald Trump.

Rusia dhe SHBA janë ndër 34 vendet nënshkruese të OSA-s, që lejon fluturime të paarmatosura për të promovuar transparencën e aktiviteteve ushtarake dhe për të lehtësuar monitorimin e kontrollit të armëve dhe marrëveshjeve të tjera.

Marrëveshja e nënshkruar në vitin 1992 shërben si masë shtesë për sigurinë në kufijtë e Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë (OSBE).

”Gjermania u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë vendimin për t’u tërhequr nga OSA”, tha po dje ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas duke i kërkuar gjithashtu Rusisë që të respektojë plotësisht detyrimet.

“Me partnerët tanë, ne do të investojmë në mënyrë që qeveria amerikane të rishqyrtojë vendimin e saj”, tha Maas duke vënë në dukje se Franca, Polonia dhe Britania e Madhe kishin përsëritur për Uashingtonin se “vështirësitë nga pala ruse vitet e fundit nuk e justifikonin këtë tërheqje”.