Kore e Jugut, 3T çoi në suksesin e luftës kundër COVID-19

Kore e Jugut, 3T çoi në suksesin e luftës kundër COVID-19

Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Gunn tha se rreth 90 për qind të rasteve janë shëruar dhe se janë duke shpërndarë eksperiencat me vendet tjera.

Testi, gjurmët dhe formulimi i trajtimit (test, trace, treat -3T) janë thelbësore për suksesin e Koresë së Jugut në luftën kundër koronavirusit, tha Zv/ministri i Jashtëm i këtij vendi, Kim Gunn, raporton Anadolu Agency.

“Në qendër të qasjes sonë, ne kemi ndjekur 3T (testi, gjurmim dhe trajtim) për të konfirmuar rastet pozitive. Për të frenuar përhapjen e shpërthimit, ne gjurmuam me përpikëri kontaktet e njerëzve me COVID-19 dhe u përpoqëm t'i trajtonim ato në fazën më të hershme", tha Kim Gunn për AA.

Ai tha se ata miratuan parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes civile në luftimin e pandemisë.

Gunn tha se prioriteti i tyre ishte zbulimi i hershëm i rasteve me skanim diagnostikues në shkallë të gjerë dhe studime të përpikta epidemiologjike, dhe ata ngritën stacione skanimi në të gjithë vendin që kryen rreth 20.000 teste pa pagesë çdo ditë.

Duke potencuar se me metodat e gjurmimit të kontaktit që u krijuan pas shpërthimit të MERS në vitin 2015, ata ndjekën në mënyrë aktive rastet e COVID-19 dhe shpërndanë masat dhe informacionet në lidhje me shpërthimin me shpejtësi me publikun. Në këtë mënyrë, ata që kishin kontaktuar raste pozitive mund të bënin testin me iniciativën e tyre.

Gunn tha se vendi rriti kapacitetin e saj të shtretërve për trajtimin e pacientëve me COVID-19 duke shfrytëzuar disa spitale vetëm për këta pacientë.

Duke thënë se ata grupuan pacientët në katër kategori në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore, ai tha: "Ne i ndamë burimet mjekësore në mënyrë të efektshme dhe i dhamë përparësi trajtimit të pacientëve me simptoma të rënda".

"Ne gjithashtu krijuam qendra të trajtimit publik për t'i vendosur në karantinë ata që kishin simptoma të buta dhe që kishin më pak nevojë për kujdes mjekësor", tha ai.

- Ndarja e njohurive

Duke nënvizuar rolin e publikut në luftimin e pandemsië, zv.ministri Gunn tha se: "Publiku përshtati ritmin me përpjekjet e qeverisë duke iu përmbajtur rekomandimeve për mbajtjen e maskës, masat pasuese, ruajtjen e distancës sociale dhe higjienën personale".

Ai tha se ata ishin midis vendeve të para ku u shfaq përhapja e virusit dhe shtoi se: "Përvoja dhe njohuritë mund të jenë të dobishme për vendet e tjera".

Në këtë kontekst, tha Gunn, Seuli është në kontakt aktiv me shumë vende.

"Ne jemi duke organizuar veprimtari për shkëmbimin e njohurive, siç janë seminare në internet dhe video-konferenca me partnerë të huaj", tha ai duke shtuar se ata gjithashtu përmbushnin kërkesat për ndihma humanitare.

"Ne jemi gjithashtu në kontakt me shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare në lidhje me COVID-19", tha Gunn.

Ai theksoi se ata nuk ndaluan mbërritjet në vend, përkundrazi ata kontrolluan dhe gjurmuan ata që vijnë nga jashtë, kurse karantina 14-ditore është bërë e detyrueshme për çdo pasagjer që nga 1 prilli.

- Rreth 90 për qind e rasteve janë shëruar

Zv.ministri i Jashtëm, Gunn tha se në fillim të shpërthimit kishte mungesë të maskave për shkak të kërkesës së brendshme. Pastaj qeveria lejoi njerëzit të marrin dy maska në javë ​​për person dhe numri u rrit në tre ndërsa u rrit prodhimi vendor.

"Është vendosur ndalesë e eksportit për maska, por ne bëjmë përjashtime për ndihmë humanitare", tha ai.

Duke përmendur se numri i rasteve është ulur në dyshifror që nga 15 marsi, ai tha se numri i shërimeve ditore është më i lartë sesa rastet e reja.

"Tani, 90 për qind e të gjitha rasteve të konfirmuara janë shëruar plotësisht", tha ai.

Megjithatë, Gunn shtoi se rastet u rritën kohët e fundit për shkak të infeksioneve në klubet e natës në kryeqytetin Seul.

"Ekspertët paralajmërojnë se këtë vjeshtë ose dimër, ekziston një mundësi e madhe e valës së dytë në Korenë e Jugut", theksoi Gunn duke shtuar se vendi po punon në këtë drejtim.

Ai tha se përhapja e COVID-19 na mësoi faktin se "askush nuk është i sigurtë derisa të gjithë janë të sigurtë", duke nxitur për më shumë solidaritet dhe koordinim midis njerëzimit.

"Shpresoj se nga mësimet e marra, ne do të dalim nga kjo krizë me një impuls më të madh për të adresuar sërish fusha të tilla si shëndetësia dhe ndryshimet klimatike", tha ai.