Ushtria e Jemenit merr një pikë strategjike nga Huthit

Ushtria e Jemenit merr një pikë strategjike nga Huthit

Katër pjesëtarë të milicisë Huthi u vranë dhe disa të tjerë u kapën rob.

Ushtria jemenase sot bëri të ditur se ka marrë një pikë strategjike ushtarake dhe ka vrarë 4 pjesëtarë të milicisë Huthi, raporton Anadolu Agency.

"Disa pika përfshirë Jabal Mansour u morën në sulmet në provincën verior Al-Jawf", tha për AA, Rabi al-Qureshi, zëdhënësi i Zonës së Gjashtë Ushtarake.

Qureshi më tej tha se 14 pjesëtarë të tjerë të milicisë u kapën rob.

Milicitë Huthi ishin vendosur më parë në pikat strategjike dhe i përdornin si baza për sulme ndaj vendbanimeve dhe fshatrave në perëndim të provincës Marib.

Jemeni është zhytur në dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi një fushatë shkatërrimtare ajrore që synonte të parandalonte shtrirjen territoriale të Huthive.

Sipas OKB-së, që nga ajo kohë dhjetëra mijëra jemenas besohet të jenë vrarë dhe plagosur në konflikt, ndërsa 14 milionë të tjerë rrezikohen nga uria.