OKB: Mbi 660 000 të shpërngulur pavarësisht pandemisë

OKB: Mbi 660 000 të shpërngulur pavarësisht pandemisë

Mbi 660 000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve të armatosura gjatë dy muajve të fundit, pavarësisht një thirrjeje të OKB-së për një armëpushim global për t’u marrë me pandeminë e koronavirusit.

“Në një kohë kur ekspertët e shëndetësisë na thonë të qëndrojmë në shtëpitë tona, qindra mijëra njerëz po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Ata janë përballë një cënueshmërie ekstreme”, tha Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Agjencia e ndihmës vlerësoi se 661 000 njerëz në 19 vende u detyruan të shpërnguleshin, pikërisht kur sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për armëpushim.

Numri më i madh i personave të shpërngulur nga vendi ishte në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), ku mbi 480 000 persona u detyruan të iknin për shkak të luftimeve midis grupeve të armatosura ushtarake.

Luftimet vazhduan gjithashtu edhe në vendet ku palët ndërluftuese thanë se po mbështesnin kërkesën e armëpushimit.

Në Jemen, për shembull, koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka vazhduar sulmet ajrore dhe grupe të tjera kanë vazhduar të luftojnë duke çuar në shpërnguljen e 24 000 njerëzve që nga 23 marsi./atsh/