Hong-Kongu kundër ligjit kinez për sigurinë

Hong-Kongu kundër ligjit kinez për sigurinë

Kina ka propozuar një ligj për sigurinë kombëtare që dënon aktet e rebelimit dhe ndërhyrjet e jashtme në qytetin e Hong-Kongut. Nisma është pritur me protesta në rajonin gjysmautonom kinez.

Ligjvënës dhe pjesëtarë të grupeve civile të Hong-Kongut kanë protestuar kundër një ligji të Pekinit që kufizon liritë e qytetit gjysmautonom kinez.

Grupe aktivistësh marshuan të premten para ndërtesës së organit zyrtar të Kinës.

Me thirrjet "Hong-Kongu po bëhet si Shinxhiani", opozitarët që kërkojnë më shumë demokraci në vend denoncuan ligjin e ri për sigurinë kombëtare që Kina synon ta aplikojë vetë për të dënuar aktet e tradhtisë, rebelimit, separatizmit dhe përpjekjet për rrëzimin e pushtetit ekzekutiv të Hong-Kongut.

"Presidenti Shi Xhinping ka zhbërë marrëveshjen e 'shtetit me dy sisteme'. Sot po i thonë botës që Hong-Kongu është pjesë e një shteti me një sistem. Shi Xhinping po e i vë zjarrin Hong-Kongut dhe Kina do digjet bashkë me ne," deklaroi sekretari i një organizate patriotike në Hong-Kong.

Krah qytetit gjysmautonom kinez u rreshtua të enjten edhe Departamenti amerikan i Shtetit, duke thënë se ligji i ri do e cenonte statusin special të rajonit.

Qeveria e Kinës thotë se legjislacioni është çështje e sovranitetit dhe interesave të brendshëm, ndaj vendet e treta nuk duhet të ndërhyjnë.

"Ky legjislacion është stigmatizuar dhe demonizuar nga njerëz me motive të fshehta për Hong-Kongun. Pengesat dhe ndërhyrjet e forcave të huaja armike antikineze e kanë shtyrë ekzekutimin e tij që nga viti 2003," u shpreh zv.kryeparlamentari i Kinës në hapje të sesionit të Kongresit Popullor të vendit.

Rregullat e reja për sigurinë kombëtare u propozuan edhe afro dy dekada më parë, por nisma atëherë u tërhoq kur rreth 500 mijë qytetarë të Hong-Kongut e kundërshtuan me manifestime në rrugë.

Një tjetër ligj për ekstradimet i shtyrë sërish nga Kina vitin e kaluar u prit me protesta disamujore.

Qyteti kinez i është dorëzuar Kinës me kushte për 50 vite nga 1997, pasi kishte qenë një koloni britanike për më shumë se një shekull e gjysmë.

Zhvillimet me legjislacionin e ri u reflektuan në bursën vendëse, e cila ra me 5 për qind gjatë ditës.