Pse vala e dytë e shpërthimit të virusit pandemik është e pashmangshme?

Pse vala e dytë e shpërthimit të virusit pandemik është e pashmangshme?

Një nga një, qeveritë kudo në botë gradualisht janë duke i zbutur masat e serta të izolimit për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Ama, pavarësisht kësaj, në disa vende numri i rasteve të infeksionit ka vazhduar të rritet.

Veprimi e vë në pah nevojën e domosdoshme për rihapjen e kujdesshme ekonomike dhe rikthimin e jetesës, por shtegu drejt një normalitetit postkoronavirus është i lodhshëm dhe i gjatë. Pavarësisht mungesës së një qasjeje universale për mënyrën më të mirë të ecjes përpara, shumica e vendeve po dalin nga izolimet duke zbatuar mënyra të reja të jetesës, të formësuara nga rregullat strikte të distancimit fizik, e krejt kjo në përpjekje për ta shmangur dëmin e vazhdueshëm ekonomik.

Por, në mungesë edhe të një trajtimi të mundshëm apo vaksinës, ekspertët paralajmërojnë se heqja e mëtutjeshme e kontrolleve mund të nxisë një valë të dytë – dhe mbase edhe më vdekjeprurëse – të pandemisë që deri më tani ka sëmurë më shumë se pesë milionë njerëz dhe ka shkaktuar mbi 330.000 vdekje.

Kujdesi me lehtësimet

“Aktualisht, kërcënimi më i madh për rritjen e numrit të rasteve me virus mbase është nga lehtësimi i kufizimeve”, ka thënë Benjamin Neuman, virolog nga Universiteti “A&M” në Texarkana të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Al-Jazeera, transmeton KOHA. “Nuk ekziston një arsyetim i fuqishëm shkencor pse kufizimet duhet të zbuten pikërisht tani në vendet e caktuara, por për shkak të opinionit publik mund të duket politikisht e nevojshme”.

Ç’është e vërteta, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nxitur vazhdimisht shtetet që të jenë të vëmendshme kur bëhet fjalë për lehtësimin e kufizimeve të ndërlidhura me koronavirusin, duke paralajmëruar se heqja e parakohshme e masave mund të shpjerë drejt rishfaqjes së pakontrolluar të infeksioneve dhe një vale të dytë me raste më të shumta.

Javëve të fundit, derisa debatet rreth strategjive të daljes janë intensifikuar në botë, një sërë ekspertësh kanë publikuar udhëzues të rëndësishëm, me shumicën prej tyre që kanë ofruar rekomandime të qëndrueshme si shtegdalje.

Mes tyre ishin shkencëtarët e Qendrës së Kërkimeve dhe Politikave të Sëmundjeve Ngjitëse (CIDRAP), të cilët shpalosën një sërë parashikimesh për zhvillimin e COVID-19 brenda një të ardhmeje të afërt.

Tre skenarë

Duke i përdorur si modele kyçe krahasimore shpërthimet e mëhershme të sëmundjeve, siç janë SARS-i dhe MERS-i, shkencëtarët nga Universiteti i Minnesotas kanë konstatuar se pandemia, sipas të gjitha gjasave, do të zgjasë për dy vjet dhe nuk do të eliminohet derisa 60 deri 70 për qind e popullatës të mos imunizohet.

Duke e marrë parasysh probabilitetin e lartë se vaksina kundër sëmundjes nuk do të jetë e qasshme brenda këtij viti, skenari i parë i CIDRAP-it parasheh se vala e parë do të përcillet nga disa të tjera të përsëritshme dhe më të vogla, të cilat do të shfaqen në mënyrë të vazhdueshme, para se të zhduken vitin e ardhshëm. Këto valë do të ndryshojnë gjeografikisht dhe intensiteti i tyre do të varet nga masat e izolimit, që do të rikthehen periodikisht.