Afganistani do të lirojë 900 talebanë të tjerë si pjesë e procesit të paqes
BKT
   Bota

Afganistani do të lirojë 900 talebanë të tjerë si pjesë e procesit të paqes

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se procesi i lirimit kishte filluar dhe qeveria ishte e gatshme të fillonte bisedimet e drejtpërdrejta me talebanët.

Ndërsa armëpushimeve të rralla po u vjen fundi, qeveria afgane të martën njoftoi se do të lirojë 900 luftëtarë të tjerë talebanë, me shpresë për zgjatjen e armëpushimit dhe për të çuar përpara procesin e paqes, raporton Anadolu Agency.

Javed Faisal, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se procesi i lirimit kishte filluar dhe qeveria ishte e gatshme të fillonte bisedimet e drejtpërdrejta me talebanët.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Kabul liroi 100 të burgosur talebanë si një gjest i vullnetit të mirë, pas deklaratës së papritur të armëpushimit tre-ditor të talebanëve për festën muslimane të Fitër Bajramit.

Të dielën, Presidenti Afganistan, Ashraf Ghani, urdhëroi fillimin e procesit për lirimin e deri 2.000 të burgosurve talebanë dhe tha se qeveria e tij ishte e gatshme të fillonte bisedimet e shumëpritura me grupin kryengritës.

"Fituesi i paqes do të jetë populli afgan. Lufta sjell vetëm shkatërrim dhe mjerim, veçanërisht për gratë afgane, që vuajnë më shumë", tha presidenti afgan në një fjalim para xhamisë së pallatit presidencial në ditën e parë të Bajramit.

Komuniteti ndërkombëtar përshëndeti armëpushimin e papritur, i cili është armëpushimi i dytë i tillë i shkurtër në kryengritjen vdekjeprurëse, e cila ka hyrë në vitin e 19-të.

Zalmay Khalilzad, i dërguari amerikan për pajtimin në Afganistan dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg këshilluan të dy palët të shfrytëzojnë mundësinë për të çuar përpara procesin e paqes.

Gjermania, Indonezia, Norvegjia, Uzbekistani dhe Katari gjithashtu shprehën mbështetjen e tyre dhe i kërkuan Kabulit dhe talebanëve të ndjekin bisedimet e propozuara për paqe brenda-afgane pa vonesë.

Sa i përket marrëveshjes së paqes mes SHBA-ve dhe talebanëve nënshkruar në Doha në fillim të këtij viti, lirimi i 5000 të burgosurve talebanë dhe 1000 personave të qeverisë është një kërkesë për bisedimet brenda-afgane.

Sipas burimeve zyrtare, janë rreth 12.000-15.000 luftëtarë talebanë, përfshirë militantë nga Pakistani, Azia Qendrore dhe vendet e Gjirit, në burgjet qeveritare në të gjithë Afganistanin.

Nuk ka në dispozicion asnjë shifër për robërit që mbajnë kryengritësit.