Jemen, ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtatmadhorisë i mbijetojnë një sulmi
BKT
   Bota

Jemen, ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtatmadhorisë i mbijetojnë një sulmi

Sulmi me raketa balistike kishte për shënjestër selinë ushtarake ku ministri i Mbrojtjes, Mohamed Ali Al-Maqdashi dhe Shefi i Shtatmadhorisë Sghaier bin Aziz ishin duke zhvilluar një takim.

Burimet ushtarake bëjnë të ditur se ministri i Mbrojtjes i Jemenit dhe Shefi i Shtatmadhorisë i mbijetuan një sulmi me raketa balistike nga rebelët Huthi në provincën lindore Maarib, raporton Anadolu Agency.

Sulmi kishte për shënjestër selinë ushtarake ku ministri i Mbrojtjes, Mohamed Ali Al-Maqdashi dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Sghaier bin Aziz ishin duke takuar komandantët e ushtrisë në Maarib, tha burimi për AA në kushte anonimiteti për shkak të kufizimit të prononcim për media.

Burimi gjithashtu thotë se sulmi rezultoi në vrasjen e Fahd bin Azizit, djalit të Shefit të Shtatmadhorisë së Jemenit dhe nipit të tij si dhe tre ushtarëve dhe dy oficerëve.

Ende nuk është publikuar asnjë deklaratë zyrtare nga autoritetet jemenase, ndërsa as rebelët Huthi nuk komentuan raportimin.

Jemeni është zhytur në dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi një fushatë shkatërrimtare ajrore që synonte të parandalonte shtrirjen territoriale të Huthive.

Sipas OKB-së, që nga ajo kohë dhjetëra mijëra jemenas besohet të jenë vrarë dhe plagosur në konflikt ndërsa miliona të tjerë rrezikohen nga uria.