“Twitter”-i i etiketon postimet e Trumpit si të pabaza
Sharr Travel

“Twitter”-i i etiketon postimet e Trumpit si të pabaza

Të martën, rrjeti social Twitter për herë të parë kërkoi nga lexuesit që t’i verifikojnë faktet në cicërimat e presidentit amerikan, Donald Trump, duke paralajmëruar se pretendimet e tij për votat me postë ishin të rreme dhe janë hedhur poshtë nga verifikuesit e fakteve.

Ky veprim shënoi një ndryshim dramatik për rrjetin social, mjetin kryesor të Trumpit për të shpërndarë mesazhet e tij të pafiltruara për bazën e tij politike, pas viteve të politikave lejuese të përmbajtjes në këtë platformë, raporton Reuters.

Kompania i ka shtrënguar këto politika viteve të fundit si pasojë e kritikave se qasja e tyre ka lejuar lulëzimin e abuzimeve, llogarive të rrejshme dhe keqinformimit.

Trumpi iu sul kompanisë pas këtij veprimi, duke e akuzuar atë – në një cicërimë – për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale 2020. “Twitteri po e mbyt në tërësi FJALËN E LIRË, dhe unë, si presidenti, nuk do ta lejoj këtë të ndodh”, tha ai.

Trumpi, që ka mbi 80 milionë ndjekës në Twitter, në cicërimat e tij tha se votat përmes postës “do të jenë shumë mashtruese” dhe do të rezultojnë në “zgjedhje të falsifikuara”, ndërsa përmendi pikërisht guvernatorin e Kalifornisë për këtë çështje, ndonëse ky shtet nuk është i vetmi që ka në funksion votimin me postë.

Disa orë më vonë, Twitteri postoi një njoftim me një pikëçuditëse të kaltër nën ato postime, duke kërkuar nga lexuesit t’i “kontrollojnë faktet për votat me postë” dhe duke i drejtuar ata në një faqe me informacione të mbledhura nga stafi i Twitterit për këto pretendime.

Vendimi i kompanisë për të etiketuar postimin e presidentit vjen pasi ajo është vënë nën presion të shtuar për të mos lejuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe llogaritë e rreme./IndeksOnline/