Ushtria Libiane shkatërron automjete të blinduara të milicive të Haftarit
Njësitë e ushtrisë gjithashtu kanë pastruar rajonet në jug të Tripolit nga milicitë e komandantit renegat Khalifa Haftar.
Ushtria Libiane ka njoftuar se ka shkatërruar 10 automjete të blinduara që i përkisnin milicive të komandantit renegat Khalifa Haftar në jug të vendit, transmeton Anadolu Agency.
Njësitë e ushtrisë kanë pastruar gjithashtu rajonet Qarizma dhe Ahya al-Barriya në jug të Tripolit nga milicitë në "një masë të konsiderueshme", tha zëdhënësi i ushtrisë Mohammed Gununu në një deklaratë me shkrim.
Pasi mori nën kontroll bazën ajrore strategjike Al-Watiya në Libinë perëndimore nga milicitë e Haftarit më 18 maj, ushtria vazhdon të pastrojë vendin nga milicitë.
Njësitë e ushtrisë rrethuan qytetin Tarhuna, i cili po përdoret si një bazë ushtarake dhe e furnizimit nga milicitë e Haftarit. Disa grupe të milicive u detyruan të tërhiqeshin nga frontet në jug të Tripolit për të mbrojtur qytetin Tarhuna.
Njësitë e ushtrisë kanë pastruar një rajon të gjerë nga milicitë e Haftarit, duke përfshirë rajonet Hamzah, Yarmuk dhe as-Sawarih në jug të Tripolit. Ata gjithashtu rikthyen disa pika kritike nga milicitë dhe morën nën kontroll kampin ushtarak Al Tekbali.
Pasi ushtria libiane pastroi Tripolin jugor nga milicitë e Haftarit, mercenarët thuhet se u tërhoqën nga frontet në Tripoli dhe u dërguan në një pikë të panjohur nga aeroporti Bani Walid.
Mediat kohët e fundit raportuan se shumë automjete që transportonin mercenarë ishin tërhequr nga frontet në Tripoli.























