Incidente të dhunshme edhe në Ohio për shkak të vrasjes së Floyd
Rreth 400 protestues në Columbus janë përleshur me policinë dhe për orë të tëra kanë bllokuar udhëkryqet në rrugët kryesore të qytetit.
Qyteti Columbus në Ohio të SHBA-së iu shtua listës së qyteteve amerikane të cilat u përfshinë nga incidentet e dhunshme pas vrasjes së afroamerikanit George Floyd si pasojë e brutalitetit policor, transmeton Anadolu Agency.
Rreth 400 protestues në Columbus janë përleshur me policinë dhe për orë të tëra kanë bllokuar udhëkryqet në rrugët kryesore të qytetit, shkroi gazeta lokale "Columbus Dispatch".
Protestuesit kanë gjuajtur me objekte të ndryshme ndaj policisë, e cila, nga ana tjetër, është përgjigjur me gaz lotsjellës.
Disa demonstrues po ashtu janë përpjekur të hyjnë në kuvendin e Ohios, dritaret e së cilës janë thyer.
"E kuptoj se pse disa banorë të rajonit janë të zemëruar dhe kanë dalë në rrugë", shkroi kryebashkiaku Andrew Ginther para se të ndodhnin incidentet.
"Disa herë kam thënë se racizmi është i pranishëm në vend, në shtet dhe këtu në Columbus. Kudo që ta shohim, ne duhet ta shtypim racizmin. Unë i respektoj protestat paqësore dhe dua që banorët e rajonit këtë natë dhe çdo natë të vazhdojnë të jenë paqësor gjatë protestave", shtoi Ginther.
George Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën në Minneapolis, Minesota, pasi, siç thuhet, u denoncua për përdorim të një banknote të falsifikuar prej 20 dollarësh në një dyqan lokal.
Në videon e përhapur në rrjetet sociale ai shfaqet i prangosur dhe bashkëpunues.
Megjithatë, policia pohoi se ai i ka rezistuar arrestimit. Njëri prej policëve vendosi gjurin mbi qafën e tij, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: "Nuk mund të marr frymë".
Më pas, Floyd shihet duke humbur vetëdijen, por oficeri i policisë vazhdon të mbajë gjurin e tij mbi qafën e viktimës.
Ai humbi jetën menjëherë pasi u dërgua në spital.
Katër policë janë pushuar nga puna për vrasjen, e cila ka shkaktuar protesta masive dhe revoltë kundër brutalitetit të policisë.























