Festa e Republikës në Itali, homazh për viktimat e Covid-19
BKT
   Bota

Festa e Republikës në Itali, homazh për viktimat e Covid-19

Italia feston sot 74 vjetorin e Ditës Kombëtare të Republikës e cila i dedikohet këtë vit, viktimave të COVID 19 e të gjithë personelit mjekësor e jo vetëm që është në linjë të parë për të luftuar pandeminë.

Në mungesën e paradës tradicionale të forcave të rendit e të ushtrisë kombëtare, Presidenti i Republikës Sergio Mattarella , kryeminstri Giuseppe Conte e personalite të larta të vendit vendosën kurora e bënë në homazh në Altarin e Paqes në Sheshin Venezia ndërsa qielli mbushej me shigjetat në ngjyrat e flamurit kombëtar drejtuar nga flota ajrore e ushtrisë.

Menjëherë pas kësaj ceremonie, kreu i shtetit italian, Presidenti Mattarella u nis të vizitojë komunën e Codognos në rajonin e Lobmardisë, një nga zonat simbol më të prekura nga pandemia e vatra e parë e përhapjes së virusit.

Përballë banorëve të qytezës e autoriteteve lokale të komunave të provincës së Lodit, Presidenti Mattarella kërkoi "bashkim përgjegjësie e kohezion për të përballuar situatën e emergjencës e krizën e shkaktuar nga pandemia", transmeton oranews.

"Nga Codogna, ku nis dhe dhimbja në rrugën e pandemisë, dua të rinovoj vlerat e Kushtetutës Italiane, të reflektojmë mbi vlerat themeluese republikane duke nderuar viktimat tanë nga koronavirus. U bëmë dëshmitarë të mijëra gjesteve kurajoze, solidale, dëshmi altruizmi, në ndihmë të atyre që kishin nevojë. U shfaq një pasuri morale e pranishme në vendin tonë shpesh e padukshme por që duhet të karakterizojë ndërtimin që pret sot shoqëria jonë. Sensi i përgjegjësisë e aftësitë e rezistencës i dhanë jetë komunitetit në momentet më dramatike të krizës që duhet të transformohet në një angazhim të përbashkët drejt objektivit të kalimit të emergjencës e rikuperimit të qëndrueshëm të vendit" tha Presidenti Mattarella.

Presidenti italian vizitoi dhe varrezat e qytezës së Codognës duke nderuar viktimat e pandemisë e në shenjë solidaritet ndaj familjeve e të afërmëve të tyre.