OKB nuk arriti të mbledhë fondin humanitar prej 2,4 miliardë $ për Jemenin
Sharr Travel

OKB nuk arriti të mbledhë fondin humanitar prej 2,4 miliardë $ për Jemenin

"Nëse nuk sigurohet fond të mjaftueshëm për Jemenin, 30 nga gjithsej 41 programe të ndihmës do të mbyllen në disa javë të ardhshme", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Kombet e Bashkuara (OKB) mblodhën vetëm 1,35 miliard dollarë në konferencën e donatorëve për të mbledhur një fond prej 2,41 miliardë dollarë për Jemenin të përfshirë në një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Nëse nuk sigurohet fond të mjaftueshëm për Jemenin, 30 nga gjithsej 41 programe të ndihmës do të mbyllen në disa javë të ardhshme", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Ai gjithashtu paralajmëroi se në Jemen "është duke u garuar me kohën", ndërkaq tërhoqi vëmendjen se në vend është shkatërruar sistemi i shëndetësisë për shkak të luftës së brendshme dhe se numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në qytetin Aden është shumë i lartë.

Përkundër kësaj, në konferencë nuk u arrit qëllimi prej 2,41 miliardë dollarë fond për Jemenin dhe u mblodhën vetëm 1,35 miliard dollarë.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin, Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët filloi një fushatë shkatërruese ajrore që synon të kthejë territoret e pushtuara nga rebelët.

Dhjetëra mijëra shtetas të Jemenit, duke përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë gjatë konfliktit i cili ka shkaktuar krizën më të keqe humanitare në botë, pasi miliona persona mbeten në rrezik të urisë.