SHBA hyn në ditën e tetë të protestave për vdekjen e George Floyd
Sharr Travel

SHBA hyn në ditën e tetë të protestave për vdekjen e George Floyd

Kanë hyrë në ditën e 8-të protestat që vazhdojnë në shumë rajone të vendit kryesisht në New York, Washington dhe në Minneapolis ku humbi jetën Floyd.

Në SHBA vazhdojnë protestat kundër racizmit që filluan dhe u përhapën në mbarë vendin pasi afroamerikani George Floyd humbi jetën si pasojë e dhunës policore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kanë hyrë në ditën e 8-të protestat që vazhdojnë në shumë rajone të vendit kryesisht në New York, Washington dhe në Minneapolis ku humbi jetën Floyd. Edhe sot mijëra protestues kanë dalë në rrugë dhe kanë bërë thirrje për drejtësi lidhur me Floyd.

Mijëra protestues që bllokuan herë pas here trafikun në sheshin "Times" në New York u mbështetën edhe nga punonjësit e shëndetësisë. Ndërsa protestuesit në bulevardin "Broadway" u kërkuan policëve përreth tyre që të gjunjëzohen por policët nuk u gjunjëzuan.

Pas grabitjeve të shumta që ndodhën mbrëmë në qytet, shumë dyqane, banka dhe biznese morën masa kundër grabitjeve duke mbyllur dyert dhe dritaret me dërrasa.

Për të parandaluar plaçkitjet në qytet është zbatuar ora policore dhe trafiku u mbylll në disa rrugë që nga ora 20:00.

Në anën tjetër ndaj 25 mijë protestuesve në Teksas dhanë mbështetje edhe anëtarët e familjes George Floyd. Ndërkohë në Hollywood të Kalifornisë, mijëra protestues vazhduan protestat e tyre në qytetin ku janë mobilizuar forcat e Gardës Kombëtare.

Shumica e protestave të zhvilluara në vend kanë përfunduar në mënyrë paqësore.

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua nga policia disa ditë më parë në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai iu përgjërua policëve duke thënë: "Nuk mund të marr frymë", pasi një polic i kishte vendosur për disa minuta gjurin mbi qafën e tij.

Floyd ndërroi jetë në spitalin ku u dërgua nga ekipet shëndetësore që mbërritën në vendngjarje, ndërkohë që pamjet e regjistruara me celularë nga qytetarët që kalonin në rrugë shkaktuan reagime të mëdha në rrjetet sociale.

Pamjet ndezën sërish debatin mbi dhunën policore kundër njerëzve me ngjyrë në SHBA dhe si rrjedhojë u mbajtën protesta në shumë qytete të vendit kryesisht në Minneapolis.

Protestat për Floyd vazhdojnë prej një jave, ndërsa të paktën 40 qytete përfshirë Washingtonin dhe New Yorkun e filluan javën me orët policore gjatë natës.

Në rreth 25 qytete janë mobilizuar Njësitë e Gardës Kombëtare për të mbështetur policinë dhe për të marrë nën kontroll ngjarjet.