Poloni, zgjedhjet presidenciale më 28 qershor
Polonia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale më 28 qershor, njoftoi presidentja e Dhomës së Ulët të parlamentit polak (Sejm), Elzbieta Witek.
Polakët do të jenë në gjendje të votojnë në qendrat e votimit, sipas një sistemi të rreptë shëndetësor ose me postë.
Me njoftimin e sotëm të Witek-ut rifillon procesi zgjedhor, pas zgjedhjeve të anuluara të 10 majit, pas një marrëveshjeje nga drejtuesit e koalicionit qeverisës dhe mes problemeve teknike për organizimin e votimeve, për të cilat u tha se do të zhvilloheshin vetëm me postë.
Kandidatët e regjistruar për votimin e 10 majit nuk do të duhet të regjistrohen përsëri për votimin e ri, por kandidatët e rinj do të duhet të mbledhin 100 000 firma për të dalë në zgjedhje.
Për momentin, kjo ka të bëjë me Rafal Trzaskowski-n, kandidatin e bllokut kryesor të opozitës.
Parlamenti polak miratoi projektligjin dje pasdite dhe presidenti Andrzej Duda e nënshkroi dekretin në të njëjtën ditë./atsh/























