Administrata Trump do të ndalojë fluturimet kineze për në SHBA
Sharr Travel

Administrata Trump do të ndalojë fluturimet kineze për në SHBA

Administrata e presidentit Donald Trump tha të mërkurën se do të ndalojë avionët kinezë të udhëtarëve të fluturojnë për në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 16 qershori.

Deklarata e Departamentit të Transportit vjen si presion që administrata i bën Pekinit për të lejuar avionët amerikanë të rifillojnë fluturimet drejt Kinës.

Ky hap penalizon Kinën pasi Pekini nuk po zbaton një marrëveshje ekzistuese për fluturimet midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar muajt e fundit mes tensioneve të shtuara lidhur me pandeminë e koronavirusit.

Delta Air Lines dhe United Airlines kanë kërkuar që të rifillojnë fluturimet për në Kinë këtë muaj, edhe pse avionët kinezë i kanë vazhduar fluturimet drejt SHBA gjatë pandemisë.

Delta tha në një deklaratë të mërkurën se "ne mbështesim dhe vlerësojmë veprimet e qeverisë amerikane për të zbatuar të drejtat tona dhe për të garantuar drejtësi.”

Më 22 maj, administrata Trump akuzoi qeverinë e Kinës se po ua bën të pamundur kompanive ajrore amerikane të rifillojnë fluturimet drejt Kinës.

Linjat ajrore kineze kryejnë jo më shumë se një fluturim të planifikuar në javë për në Shtetet e Bashkuara, por bëjnë një një numër të konsiderueshëm fluturimesh shtesë çarter, shpesh për tu ndihmuar studentëve kinezë të kthehen në atdhe.

Administrata Trump po i penalizon fluturimet kineze charter dhe ka lënë të kuptohet se këto lloj fluturimesh janë përdorur për të anashkaluar kufizimet e vendosura nga qeveria kineze./VOA