Fluturimet SHBA-Kinë, pezull
BKT
   Bota

Fluturimet SHBA-Kinë, pezull

Fluturimet mes SHBA-së dhe Kinës janë ndërprerë prej muajsh për shkak të pandemisë, por Uashingtoni tashmë ka vendosur t`i ndalë tërësisht udhëtimet me linjat ajrore kineze duke i tensionuar më tej marrëdhëniet mes dy shteteve.

Qeveria amerikane ka përshkallëzuar tensionet me Kinën duke vendosur që nga 16 qershori të bllokojë të gjitha fluturimet e linjave ajrore kineze në vend.

Vendimi i Departamentit të Transportit pasoi refuzimin nga ana e Pekinit për të lejuar këtë javë fluturimet me kompanitë ajrore amerikane United dhe Delta Airlines, masë pezullimi e marrë prej disa muajsh si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Sipas autoriteteve në Uashington, Kina po shkel marrëveshjet dypalëshe për sa i përket udhëtimeve, ndaj është detyruar të aplikojë reciprocitet.

Kina në javët e fundit ka rinisur fluturimet me disa shtete që raportojnë ulje të normës së përhapjes së kovidit nëpër botë.

Në muajin janar, mes SHBA-së dhe Kinës operonin çdo javë rreth 325 linja vajtje-ardhjeje ndërsa në fundin e marsit kjo shifrën arriti në vetëm 34.

Pekini i druhet një vale infeksioni nga Amerika pasi atje numri i të infektuarve me koronavirus po afrohet në 2 milion, ndërsa 107 mijë janë viktimat.

Ndërkohë në Kinë, të mërkurën u shënua vetëm një rast i ri me Covid-19.

Sipas kreut të OBSH-së, Tedros Adanom, në Amerikën Veriore dhe atë Jugore mbeten vatra globale e pandemisë.

"OBSH-ja në pesë ditët e fundit ka regjistruar më shumë se 100 mijë raste të reja përditë. Jemi veçanërisht të shqetësuar për Amerikën Qendrore dhe Jugore ku epidemia po përshpejtohet. Raste të reja vërejmë edhe në Mesdheun lindor, në Azinë Juglindore dhe në Afrikë, edhe pse në numër më të vogël. Ndërsa në Europë numri vazhdon të ulet."

Koronavirusi në tërë botën ka infektuar mbi 6 milionë e gjysmë persona dhe u ka marrë jetën mbi 380 mijëve.

OBSH-ja rekomandon që asnjë shtet nuk duhet të vetëkënaqet me rezultatet e arritura deri tani pasi edhe pse virusi është aktualisht më i zbutur, fuqia e tij infektive mund të rritet nëse qeveritë bëjnë lëshime tërësore.