Koca: Turqia nuk pret një valë të dytë koronavirusi
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha se vendi nuk pret një valë të dytë të koronavirusit, i cili ka marrë qindra mijëra jetë në gjithë botën.
”Në rrethanat aktuale, falë mirëkuptimit të qytetarëve turq ndaj masave kundër virusit, ne nuk presim një valë të dytë”, tha Koca para gazetarëve.
Prej të hënës Turqia filloi lehtësimin e masave kundër COVID-19. Vendi rinisi fluturimet e brendshme dhe udhëtimet ndërurbane, ndërkohë që restorantet hapën dyert për klientët.
Megjithatë, Koca paralajmëroi që rreziku i shpërthimit vazhdon derisa të trajtohet pacienti i fundit me koronavirus.
“Ne mund të shohim rastin e fundit sa më shpejt të jetë e mundur nëse ndiqen masat parandaluese”, shtoi ai.
Sot Turqia konfirmoi se 130 852 persona janë shëruar nga virusi deri më tani, ndërsa numri i vdekjeve ka shkuar në 4 609.
Numri i të diagnostikuarve në vend është 166 422./atsh/























