Snapchat nuk do ta promovojë llogarinë e presidentit Trump
Sharr Travel

Snapchat nuk do ta promovojë llogarinë e presidentit Trump

Trump nuk do të largohet, por më nuk do të promovohet në Discover.

Llogaria e verifikuar në Snapchat e presidentit Donald Trump, nuk do të promovohet më brenda këtij aplikacioni, pasi drejtuesit arritën në përfundimin se postimet e tij gjatë fundjavës nxitën dhunë.

RealDonaldTrump, do të mbetet në platformë dhe do të vazhdojë të shfaqet në rezultatet e kërkimit.

Por ai nuk do të shfaqet më në sektorin Discover, ku ky aplikacion i promovon botuesit e lajmeve, zyrtarët e zgjedhur dhe të famshmit.

“Ne aktualisht nuk po e promovojmë përmbajtjen e presidentit në Discover të Snapchat”, bëri të ditur kompania në një deklaratë.

Ky vendim i Snapchat, vjen në kohën kur në Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë demonstratat e dhunshme, si pasojë e vdekjes së burrit me ngjyre George Floyd.

“Në asnjë mënyrë, nuk do t’i përforcojmë zërat që nxisin dhunë racore dhe padrejtësi duke u dhënë atyre promovim falas në Discover. Dhuna racore dhe padrejtësia nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe ne qëndrojmë së bashku me të gjithë ata që kërkojnë paqe, dashuri, barazi dhe drejtësi në Amerikë. ”

Trump, i cili ka më shumë se 1.5 milion ndjekës në këtë platformë, ka pasur trefishim të ndjekësve gjatë vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të promovimit të rregullt në Discover, njoftoi Bloomberg muajin e kaluar.

Me anë të promovimit në Snapchat, Trump dëshiron të mbledhë sa më shumë votues të rinjë, për zgjedhjet që zhvillohen gjatë këtij viti. /Telegrafi/


MË SHUME NGA Tech