Numri i të infektuarve me Coronavirus në Suedi po rritet
Sharr Travel

Numri i të infektuarve me Coronavirus në Suedi po rritet

Numri i të infektuarve me koronavirus në Suedi po vazhdon të rritet, ndërsa ai i të vdekurve po ulet, ka njoftuar të enjten Agjencia e Shëndetësisë e Suedisë.

Kryeepidemiologu Anders Tegnell ka thënë se rritja e rasteve nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e numrit të testimeve. Suedia ka regjistruar në total 41.883 të infektuar.

“Për fat të keq, në Suedi, ne mund të shohim rritje të numrit të rasteve të reja me koronavirus”, ka thënë ai në konferencë për media, duke i bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të mbajnë distancë sociale.

Suedia nuk ka marrë masa strikte kufizuese, duke u mbështetur në masa vullnetare kryesisht të përqëndruara te distanca sociale dhe higjiena. Ka mbajtur shkollat e hapura, restorantet dhe bizneset.

Tegnell ka thënë se rritja e rasteve të reja është kryesisht në perëndim të Suedisë dhe në mesin e personave të ri në moshë.

“Rastet te të moshuarit po ulen. Tregon se masat që kemi marrë kanë efekt. Kjo është arsye për të besuar se numri i të vdekurve do të vazhdojë të ulet”, ka thënë Tegnell.

Suedia ka regjistruar 20 raste të reja me fatalitet të enjten, duke e çuar numrin total në 4562, që është dukshëm më i madh se shtetet tjera nordike.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, ka thënë se do të zbuten kufizimet në udhëtime nga 13 qershori, duke lejuar ata që nuk kanë simptome të koronavirusit të ri të lëvizin pa pengesa nëpër vend.

“Ky vendim nuk do të thotë se rreziku ka mbaruar. Nuk do të thotë se jeta mund t’i kthehet normalitetit”, ka thënë Lofven.