Sardele me speca djegës, shije nga bregdeti shqiptar
Sharr Travel

Sardele me speca djegës, shije nga bregdeti shqiptar

Sardelet janë padyshim fantastike në vlera ushqyese ndërsa të mrekullojnë me shijen e tyre kur janë të gatuara.

Të freskëta dhe të plota në shije, sardelet janë ndër ushqimet më të shëndetshme për organizmin.

Të shoqëruara me sallata të freskëta të stinës apo perime të pjekura ato shndërrohen në një vakt të shkëlqyer dhe ideal dreke.

Më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së sardeleve të pjekura krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Sardeleve të Pjekura

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

1 kg sardele

¾ e një filxhani çaji me vaj ulliri

Kripë

Piper (sipas preferencës)

2 kokrra limon

Majdanoz i freskët

Spec djegës

Përgatitja

Sardelet pastrohet, u largohet koka dhe pjesët e brendshme. Lahen mirë me ujë të bollshëm dhe vendosen në një kullesë që t’u largohet uji.

Më pas radhisni në një tavë duke u hedhur kripë, piper dhe pak spec djegës.

Sipër spërkaten me gjysmën e sasisë së vajit të ullirit dhe futen të piqen në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale përreth 20-30 minuta.

Ndërkohë, kur shërbehen u hidhet sipër një salcë e përgatitur me lëngun e dy kokrrave të limonit dhe gjysmën tjetër të vajit të ullirit.

AgroWeb.org ju sugjeron edhe një tjetër mënyrë të përgatitjes së sardeleve, atë të gatimit të tyre në tenxhere me presion.

Në këtë rast, sardelet kriposen dhe u hidhet piper, vendosen shtresa-shtresa në tenxhere me presion dhe vendosen në zjarr.

Kjo është mënyra më e shpejtë për t’i gatuar pasi sardelet lihen në zjarr vetëm 5 minuta nga momenti që tenxherja e presionit nis të marrë nxehtësinë duke lëshuar zhurmën e saj karakteristike.

Vlerat shëndetësore të sardeles

Sardelet janë të pasura me vlera të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të zemrës. Ato janë një burim i pasur me vitaminë B12.

Ato kanë kalcium, hekur dhe potasium.

Sardelet janë një burim i pasur me vitaminën D që njihet si një element i rëndësishëm për shëndetin e kockave, duke qenë se ndihmon në përthithjen e kalciumit.

Sipas të dhënave sardelet janë gjithashtu të pasura me fosfor, një mineral i rëndësishëm në fuqizimin e strukturës kockore dhe në luftimin e sëmundjes së osteoporozës, duke i bërë kockat më të shëndetshme.

Sardelet janë të pasura me proteina të cilat na japin amino acidet për të cilat kemi nevojë.

Trupi ynë i përdor amino acidet për të krijuar proteina të reja, që shërbejnë si bazë e rëndësishme për qelizat e trupit.

Proteinat formojnë edhe bazën e muskujve dhe indet lidhorë, antitrupa që mbajnë sistemin imunitar të fortë, dhe protein transportuese që shpërndajnë oksigjenin dhe elementë ushqyes në gjithë trupin./AgroWeb.org