Johnson: Epokë të re bashkëpunimi për fushatat e vaksinimit
Sharr Travel

Johnson: Epokë të re bashkëpunimi për fushatat e vaksinimit

Britania e Madhe pret sot një samit virtual, i destinuar për të mbledhur fonde për Aleancën e Vaksinave (GAVI) ndërkohë që kryeministri, Boris Johnson bën thirrje për një epokë të re të bashkëpunimit shëndetësor global përballë pandemisë së koronavirusit të ri.

“Shpresoj që ky samit do të jetë momenti ku bota do të bashkohet për unifikimin e njerëzimit në luftën kundër sëmundjes”, deklaron ai, sipas disa pjesëve të fjalimit të publikuar nga shërbimet e tij.

“Ju bëj thirrje të na bashkoheni, për të fortifikuar këtë aleancë që shpëton jetë dhe inauguron një epokë të re të bashkëpunimit botëror në shëndetësi”, shprehet Boris Johnson, vendi i të cilit ka qenë një ndër më të prekurit nga koronavirusi me rreth 40 000 të vdekur.

Britania e Madhe është për momentin kontribuesja më e madhe në GAVI me 1,65 miliardë sterlina (1,85 miliarë euro), të premtuara për pesë vitet e ardhshme.

Gjatë këtij samiti virtual, që do të mbledhë më shumë se 50 vende dhe mbi 35 krerë shtetesh, Aleanca shpreson të mbledhë 7,4 miliardë dollarë për të vazhduar fushatat botërore të vaksinimit kundër rubeolës, poliomelitit dhe tifos, të harruara gjerësisht nga epidemia e COVID-19.

Takimi do të bëjë gjithashtu të mundur fillimin e thirrjeve për fonde për blerjen dhe prodhimin e një vaksine të mundshme në të ardhmen kundër sëmundjes COVID-19, si dhe një mbështetje për shpërndarjen e saj në vendet në zhvillim.

Për vaksinën kundër COVID-19, objektivi i Aleancës është të mbledhë dy miliardë dollarë./atsh/