Ish-sekretari Mattis: Trump po tenton të na ndajë neve
Sharr Travel

Ish-sekretari Mattis: Trump po tenton të na ndajë neve

Lidhur me ngjarjet që po ndodhin në Amerikë pas vdekjes së Floyd-it ka reaguar edhe ish Sekreatari Mattis.

Në një reagim të jashtëzakonshëm, ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, që ka shërbyer në kohën e Trumpit, ka akuzuar presidentin për “ndarje” të Amerikës dhe kërcënim të themeleve të kushtetutës.

“Ju nuk duhet të shpërqendroheni nga një numër i vogël i shkelësve të ligjit. Protestat definohen nga dhjetëra mijëra njerëz që janë duke insistuar që ne të rrisim vlerat – vlerat tona si njerëz dhe vlerat tona si komb”, ka shkruar Mattis në një deklaratë të publikuar në The Atlantic.

Ish gjenerali i marinës amerikane po ashtu ka kritikuar Trumpin dhe Esperin për shqyrtim të përdorimit të ushtrisë për zbatim të ligjit dhe angazhim të Gardës Kombëtare në shpërndarje të protestave paqësore afër Shtëpisë së Bardhë më 1 qershor.

“Në shtëpi, ne duhet ta përdorim ushtrinë vetëm kur kërkohet, në raste tejet të rralla nga guvernatorët shtetërorë. Militarizimi i përgjigjes sonë, siç e kemi parë në Uashington, krijon konflikt – konflikt të rremë – në mes të ushtrisë dhe shoqërisë civile. Kjo gjë gërryen bazën morale që siguron lidhje të besueshme në mes të burrave dhe grave në uniform dhe shoqërisë, të cilën janë betuar se do ta mbrojnë dhe të cilës i përkasin”, ka shkruar Mattis.

“Donald Trump është presidenti i parë që kam parë në jetën time, i cili nuk tenton të bashkojë popullin amerikan – madje as nuk pretendon të provojë”, ka shkruar mes tjerash Mattis.

“Në të kundërtën, ai po tenton të na ndajë neve”./REL