Samiti virtual për vaksinat mbledh 8,8 miliardë dollarë
Gjatë samitit virtual, që mblodhi më shumë se 50 vende dhe mbi 35 krerë shtetesh për çështjen e një vaksine kundër COVID-19, objektivi u arrit dhe u tejkalua.
Samiti global i promovuar nga Britania e Madhe dhe i destinuar për të mbledhur fonde për Aleancën e Vaksinave (GAVI), arriti të mbledhë rreth 8,8 miliardë dollarë nga 7,4 të planifikuara për vaksinat në botë.
“Nga kjo shumë dy miliardë dollarë do të jepen për kërkime dhe prodhimin e një vaksine kundër koronavirusit”, theksoi kryeministri britanik Boris Johnson në përfundim të takimit.
“Shpresoj që ky samit do të jetë momenti ku bota do të bashkohet për unifikimin e njerëzimit në luftën kundër sëmundjes”, deklaroi kryeministri britanik në fjalimin e tij.
“Ju bëj thirrje të na bashkoheni, për të fortifikuar këtë aleancë që shpëton jetë dhe inauguron një epokë të re të bashkëpunimit botëror në shëndetësi”, shtoi Boris Johnson, vendi i të cilit ka qenë një ndër më të prekurit nga koronavirusi me rreth 40 000 të vdekur.
Britania e Madhe është për momentin kontribuesja më e madhe në GAVI me 1,65 miliardë sterlina (1,85 miliardë euro), të premtuara për pesë vitet e ardhshme./atsh/























