Guvernatori i New York-ut apelon tek protestuesit të testohen për COVID-19
BKT
   Bota

Guvernatori i New York-ut apelon tek protestuesit të testohen për COVID-19

Cuomo tha se rreth 30 mijë njerëz kanë marrë pjesë në protestat mbarëkombëtare duke kërkuar drejtësi për vrasjen e afro-amerikanit të paarmatosur gjatë arrestimit të tij nga policia.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo u bëri thirrje demonstruesve që u bashkuan në protestat për vdekjen e George Floyd-it të bëjnë testin për koronavirusin e ri (COVID-19).

Duke folur në konferencën e përditshme për media, Cuomo tha se rreth 30 mijë njerëz kanë marrë pjesë në protestat mbarëkombëtare duke kërkuar drejtësi për vrasjen e afro-amerikanit të paarmatosur gjatë arrestimit të tij nga policia, prej të cilëve 20 mijë ishin përfshirë në tubimet në New York City.

"Këta janë numra shumë të mëdhenj", tha Cuomo, duke shtuar se protestuesit "kanë një detyrë qytetare" për t'u testuar për virusin.

"Bëhu përgjegjës, testohu", theksoi guvernatori. 

Protestat panë protestuesit dhe policinë ballë për ballë dhe duke anashkaluar udhëzimet për distancim shoqëror përderisa COVID-19 vazhdon të marrë më shumë jetë njerëzish në të gjithë SHBA-të.

Sipas të dhënave nga Universiteti "Johns Hopkins", që nga dje shpërthimi i pandemisë 108 mijë persona në SHBA e kanë humbur jetën dhe mbi 1.8 milionë të tjerë janë infektuar.

46-vjeçari Floyd ndërroi jetë më 25 maj pasi oficeri tashmë i shkarkuar i qytetit Minneapolis, Derek Chauvin, mbajti gjurin e tij mbi qafën e viktimës për gati nëntë minuta, pavarësisht lutjeve të përsëritura të Floyd-it se ai nuk mund të marrë frymë.

Një autopsi e pavarur zbuloi se Floyd humbi jetën shkaku i "asfiksimit nga presioni i gjatë".

Vdekja e tij ka shkaktuar protesta masive në të gjithë SHBA-të, kryesisht paqësore, pavarësisht disa prej të cilave janë zhvendosur në dhunë dhe plaçkitje.

Të premten e kaluar Chauvin u dërgua në paraburgim pasi autoritetet njoftuan një seri akuzash fillestare që u përmirësuan të mërkurën. Ai tani do të përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë.

Tre oficerë të tjerë në vendngjarje kur Floyd u arrestua nën dyshimin se kishte përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan, u akuzuan për veprën e krimit "ndihmë dhe nxitje" të vrasjes së shkallës së dytë.