Vendet e G20-ës premtojnë mbi 21 miliardë dollarë për ta luftuar Covid-19
Sharr Travel

Vendet e G20-ës premtojnë mbi 21 miliardë dollarë për ta luftuar Covid-19

Shtetet anëtare të Grupit G20, i cili përbehet nga vendet e pasura e me ekonomi të zhvilluar, janë zotuar për dhurimin e më shumë se 21 miliardë dollarëve në luftën kundër koronavirusit.

“Grupi G20, me shtetet e ftuara, i ka koordinuar përpjekjet ndërkombëtare për ta përkrahur luftën kundër pandemisë Covid-19. Deri më tani, anëtarët e Grupit G20 dhe shtetet e ftuara janë zotuar për më shumë se 21 miliardë dollarë amerikanë për ta përkrahur financimin e shëndetësisë botërore”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.

Këto të holla do të shfrytëzohen për diagnostikim, vaksina, terapi dhe hulumtime, thuhet më tej në deklaratë, shkruan “Reuters”.

Në muajin prill, ky grup u bëri thirrje të gjitha shteteve, organizatave joqeveritare, grupeve të bamirësisë dhe sektorit privat që të ofrojnë ndihmë për ta përmbushur mungesën financiare të rreth tetë miliardë dollarëve për ta luftuar pandeminë.

Arabia Saudite, e cila tash për tash është duke e udhëhequr Grupin G20, është zotuar se do t’i dhurojë 500 milionë dollarë për luftën kundër sëmundjes së re.

Së paku 391,000 njerëz kanë vdekur në mbarë botën nga sëmundja Covid-19 dhe mbi 6.68 milionë janë infektuar që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur rastet e para u shënuan në Kinë