Venezuelë, rradhë për karburant
BKT
   Bota

Venezuelë, rradhë për karburant

Venezuela ka çmimin më të ulët të benzinës në botë por ky produkt mbetet në sasi të paktë për qytetarët. Prej muajsh para pikave të karburantit ka radhë të gjata edhe pse vendi zotëron zonat më të madhe naftëmbajtëse.

Qytetarët venezuelas vazhdojnë të mbajnë radhë me orë e me ditë me automjetet e tyre para pikave të karburantit.

Një javë pasi presidenti Nikola Maduro prezantoi skemën për të zbutur disi krizën nga mungesa e lëndëve djegëse në treg, situata mbetet kaotike.

Sipas sistemit të ri, drejtuesit e mjeteve mund të blejnë deri 120 litra benzinë të subvencionuar nga shteti për vlerën 2,5 lekë litri e shprehur në lekë shqiptarë dhe rreth 50 lekë litri për sasi shtesë.

Ndërkohë në tregun e zi, një litër benzinë arrin mbi 4 dollarë për personat që nuk kanë kohën të presin apo disponojnë edhe të ardhurat për ta blerë.

"Në të kaluarën, qeveria provoi ta rritë çmimin e karburantit nga 0,05 në 0,25 centë dhe në gjithë Venezuelën pati trazira. Sot më duket se çmimi është 163 milionë për qind më i lartë dhe ja ku jemi këtu, në radhë. Nuk jam pro dhunës, as trazirave, por vërtet nuk e di se ç'po ndodh me vendin."

"Kam që dje që pres të marr karburant të subvencionuar. Nuk kam para që të blej të shtrenjtin, nuk e paguaj dot në dollarë me ato pak para që fitoj."

Për dekada tëra, qytetarët e Venezuelës kanë mundur ta blejnë karburantin thuajse falas, por me planin e ri të qeverisë i jepet fund epokës së subvencioneve tërësore.

Presidenti Maduro ka thënë se shteti i tij duhet të nisë të aplikojë të njëjtat çmime si në botë që produkti i tyre të mos shfrytëzohet nga shtetet fqinje.

Venezuela është shteti me zonat më të mëdha naftëmbajtëse në botë, por menaxhimi i keq i rafinerive shtetërore, politikat ekonomike dhe sanksione amerikane kanë bërë që të përkeqësohet situata me karburantet.

Vështirësitë janë shtuar edhe për shkak të rënies së çmimeve të karburantit në tregjet globale, duke ndikuar në uljen e eksportit bazë të vendit.