SHBA, mbi 550 mijë nënshkrime për të shpallur KKK organizatë terroriste
BKT
   Bota

SHBA, mbi 550 mijë nënshkrime për të shpallur KKK organizatë terroriste

Peticioni i Change.org ka mbledhur mbi 565.000 nënshkrime, të cilat vazhdojnë të rriten.

Mbi gjysmë milioni njerëz që nga e mërkura kanë nënshkruar një peticion, që është në rritje, duke i bërë thirrje administratës së Presidentit amerikan Donald Trump të shpallë Ku Klux Klan (KKK) si një organizatë terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Peticioni i Change.org ka mbledhur mbi 565.000 nënshkrime, të cilat vazhdojnë të rriten.

"KKK ka dhunuar dhe vrarë njerëz për regjistrim të votimit dhe shkatërruar qytete të ndërtuara nga afrikano-amerikanët", thuhet në shkrim.

"Amerikanët me ngjyrë kanë vuajtur më së shumti nën këtë grup terrorist. Terrorizmi është përdorimi i dhunës dhe frikësimit në arritjen e qëllimeve politike. Ne pyesim nëse DEASH ose ISIL është etiketuar si një grup terrorist për veprimet e tyre, atëherë me siguri KKK i përshtatet përshkrimit të qartë të një terroristi", theksohet më tej.

Një peticion i dytë i Change.org, i cili gjithashtu kërkon që KKK të caktohet organizatë terroriste, ka mbi 141.000 nënshkrime.

Thirrjet vijnë pasi një prokuror në Virxhinia tha se burri që drejtoi kamionin e tij në një protestë të "Black Lives Matter" në Richmond gjatë fundjavës, është një udhëheqës i pranuar i KKK-së.

Ende nuk është e qartë se si administrata e Trumpit mund të dëgjojë thirrjet e peticioneve, duke supozuar se në radhë të parë është e hapur për mundësinë.

Qeveria federale ka autoritetin të caktojë vetëm grupe të huaja si organizata terroriste pasi nuk ekziston një statut i terrorizmit të brendshëm nën të cilin të etiketohen grupet me bazë në SHBA.

Kjo çështje u ngrit kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi javën e kaluar se kërkon të shpallë grupin antifashist Antifa si një organizatë terroriste, pasi shpërtheu dhuna në disa protesta masive kundër padrejtësisë racore, për të cilën Trump fajëson grupin e majtë.