NATO ndihmon ushtrinë afgane pas njoftimeve për përhapje të Covid-19
Sharr Travel

NATO ndihmon ushtrinë afgane pas njoftimeve për përhapje të Covid-19

NATO tha të shtunën se trupat e saj jo-luftarake në Afganistan realizuan operacionin më të madh të furnizimit me pajisje mjekësore, për të ndihmuar forcat afgane të sigurisë që të luftojnë koronavirusin.

Njoftimi nga misioni “Mbështetja e Vendosur”, me trupa nga 38 vende erdhi vetëm disa ditë pas njoftimeve se pandemia e koronavirusit ka goditur forcat afgane të sigurisë, duke minuar aftësinë e tyre për t’iu kundërvënë sulmeve në rritje nga kryengritësit talibanë.

"Më shumë se 1.4 milionë maska, 500,000 doreza, 460,000 veshje mjekësore dhe pajisje kirurgjikale janë duke u shpërndarë për ushtrinë dhe policinë në mbarë Afganistanin", thuhet në një postim në Twitter të NATO-s.

Në mesazhin e postuar në Twitter përsëritet angazhimi i NATO-s për të mbështetur forcat afgane të sigurisë në përpjekjet e tyre për të siguruar paqen në vend.

Një artikull i publikuar kohët e fundit në gazetën The Washington Post citoi zyrtarë afganë të sigurisë (të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonim) në katër provinca të kenë thënë se dyshohet për infeksione në nivel 60 deri 90 për qind në mesin e personelit të forcave të sigurisë.

Përhapja e madhe e koronavirusit njoftohet se ka zvogëluar numrin e forcave afgane në dispozicion për të kryer operacionet kundër Talibanëve dhe detyra të tjera jetësore, përfshirë pikat e sigurisë në bazat ushtarake.

Ministria afgane e Mbrojtjes hodhi poshtë raportet për infeksione në shkallë të gjerë ne mesin e forcave të sigurisë, duke thënë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit në bazat ushtarake.

Ndërsa të shtunën, Ministria afgane e Shëndetësisë tha se numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Afganistan, një vend me 37 milionë banorë, është rritur në gati 33,000, ndërsa 826 njerëz kanë vdekur nga koronavirusit.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se numri real i të prekurve me Covid-19 është shumë më i lartë për shkak të aftësive të kufizuara të testimit mes sfidave të tjera me të cilat përballet sistemi i kujdesit shëndetësor i goditur nga lufta, dhe se deri në 26 milionë njerëz në vend mund të infektohen në muajt e ardhshëm.

Ka gjithashtu njoftime se koronavirusi po përhapet edhe në mesin e komandantëve dhe luftëtarëve Talibanë, megjithëse zyrtarët e grupit kryengritës i kanë mohuar ato.

Autoritetet afgane thonë se ka patur një rritje të sulmeve nga kryengritësit Talibanë në javët e fundit, në të cilat janë vrarë dhe plagosur qindra anëtarë të forcave të sigurisë. Në luftime janë vrarë edhe civilë.

Dhuna vjen ndërsa palët rivale në Afganistan përgatiten të zhvillojnë bisedime të paqes që kanë për qëllim arritjen e një armëpushimi dhe një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit.

Dialogu është parashikuar në një pakt të rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara e nënshkruan me Talibanët në shkurt për t'i dhënë fund gati dy dekadave të armiqësive në Afganistan.

Fillimi i bisedimeve të paqes mes fraksioneve brenda Afganistanit, megjithatë, është i lidhur me përfundimin e një shkëmbimi të vazhdueshëm të të burgosurve midis qeverisë afgane dhe talebanëve.

Kabuli duhet të lirojë rreth 1.000 të burgosur të tjerë talibanë nga 5,000 që parashikon marrëveshja. Kryengritësit kanë liruar rreth 740 anëtarë forcave afgane nga 1.000 që ata kishin premtuar se do t’i lironin.

Në bazë të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve, të gjitha trupat amerikane dhe ato të aleatëve do të largohen nga Afganistani deri në korrik të vitit 2021, nëse jepen garanci që grupi kryengritës do të parandalojë terroristët transnacionalë të përdorin vendin për sulme ndërkombëtare, dhe angazhohen në një proces pajtimi politik për t'i dhënë fund dhunës.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë civil i NATO-s në Afganistan, Stefano Pontecorvo, ka paralajmëruar se dhuna e talibanëve po pengon përpjekjet për të filluar bisedimet ndër-afgane të paqes.

Pontecorvo e publikoi deklaratën në një postim në Twitter pasi informoi vendet anëtare të NATO-s në Bruksel për zhvillimet e fundit në Afganistan.

"Ne diskutuam gjithashtu situatën në terren, dhuna nga Talibanët duhet të zvogëlohet, ajo është thjesht e papranueshme dhe po krijon probleme në përpjekjet për të rifilluar bisedimet e paqes", tha ai. /VOA