Trump hapi festimet për 4 Korrikun me një fjalim në Malin Rushmore
Sharr Travel

Trump hapi festimet për 4 Korrikun me një fjalim në Malin Rushmore

Presidenti Donald Trump i filloi festimet e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës, me një tubim në Monumentin kombëtar Mali Rushmore, ku iu drejtua turmës me fjalët se fëmijët e tyre po mësojnë në shkollë “të urrejnë vendin e tyre”. Presidenti foli para një turme entuziaste duke këmbëngulur se sulmet nga e majta radikale, siç e quajti ai, duhet të ndalen që të mbrohet mënyra amerikane e jetesës.

Presidenti paralajmëroi pjesëmarrësit në tubim se demonstratat kundër padrejtësisë sociale që janë përhapur në të gjithë vendin pas vdekjes së George Floyd gjatë arrestit, kërcënojnë themelet e qeverisjes amerikane. Zoti Trump sulmoi ashpër “turmat e zemëruara”, duke iu referuar protestuesve që janë përpjekur të heqin simbole që shihen prej tyre si raciste si dhe të rrëzojnë monumente që nderojnë figura të Konfederatës.

“Ata duan të rrëzojnë bindjet tona, kulturën dhe identitetin që e kanë bërë Amerikën vendin më dinamik e tolerant në historinë e botës. Bashkëkombasit e mi, amerikanë, ka ardhur koha të ngremë zërin me fuqi dhe të mbrojmë integritetin e atdheut tonë,” tha presidenti.

Presidenti iu kundërvu lëvizjes për drejtësi sociale që është përhapur në vend, duke thënë se po bën të kundërtën dhe do të çonte në “shkatërrimin e drejtësisë dhe shoqërisë”:

"Ideologjia radikale për të sulmuar vendin tonë ka si parullë drejtësinë sociale. Por në realitet, do të shkatërrojë shoqërinë dhe drejtësinë. Ajo do ta kthejë drejtësinë në instrument të përçarjes dhe hakmarrjes. Do ta shndërronte një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse në një vend të shtypjes, dominimit dhe përjashtimit. Ata duan të na mbyllun gojën, por ne nuk do të heshtim,” tha presidenti.

Presidenti Trump tha gjithashtu se po ndërtohet muri në kufirin jugor amerikan, një ndër premtimet e tij në fushatën presidenciale të 2016.

Presidenti mori pjesë në një tubim me rastin e Ditës së Pavarësisë me pjesëmarrjen e mijëra vetëve të mbledhur pa distancë fizike dhe ku presidenti dhe shumica e pjesëmarrësve nuk mbanin maskë. Gjatë tubimit në një amfiteatër pranë Monumentit Mali Rushmore të Dakotës së Jugut ku janë të skalitura në gurë figurat gigande të katër presidentëve amerikanë, zoti Trump njoftoi se ka dhënë urdhër për krijimin e “Kopshtit Kombëtar të Heronjve Amerikanë” që do të ketë statujat e “amerikanëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë,” siç e prezantoi presidenti.

Zoti Trump foli për secilin nga presidentët e skalitur në faqen e malit -- George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt. Ai dha detaje nga e kaluara e tyre patriotike, pa përmendur elementë të tjerë të prejardhjes apo qeverisjes së tyre që kritikohen nga një pjesë e shoqërisë amerikane. Po ashtu, Presidenti Trump nuk përmendi se mali ku ndodhet monumenti është tokë e shenjtë për popullatën indigjene amerikane, që e konsideron ngritjen e monumentin përdhosje të kësaj toke të shenjtë.

Pas fjalimit, presidenti dhe pjesëmarrësit ndoqën një shfaqje me fishekzjarre, e para e dhënë në Malin Rushmore në 10 vjetë. Ambjentalistë si dhe politikanë e aktivistë kanë shprehur shqetësimin se fishekzjarret dëmtojnë mjedisin delikat ekologjik të zonës dhe paraqesin rrezik për zjarre në bimësinë malore.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë dhënë alarmin se aktiviteti në Dakotën e Jugut do të krijojë një vatër të re të epidemisë me një përhapje të shpejtë infeksionesh./VoA

Mali Rushmore, 3 korrik 2020