Ismajli: Në javën e fundit katër shtatzëna me COVID-19 kanë kryer lindjet
Sharr Travel

Ismajli: Në javën e fundit katër shtatzëna me COVID-19 kanë kryer lindjet

Gratë shtatzëna që rezultojnë pozitive në COVID-19 apo kanë simptoma të sëmundjes do të trajtohen në një repart të improvizuar në Klinikën Infektive.

“Kemi pasur shtatzëna që kanë qenë të infektuara me COVID-19 janë shëruar dhe kanë ardhur këtu e më pas kenë përfunduar lindjen. Në javën e fundit kemi pasur katër shtatzëna që kanë qenë aktive me COVID-19 dhe kanë përfunduar lindjen. Tri prej tyre kanë kryer lindjen me prerje cezariane ndërsa një tjetër ka kryer lindje normale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, drejtori i Klinikës Obstetrike-Gjinekologjike Jakup Ismajli.

Ai thotë se për fat të mirë rastet kanë përfunduar me sukses pos një rasti në javën e kaluar ku shtatzëna kishte ardhur në klinikë me bebën e vdekur.

Për këtë rast Ismajli thotë se nuk dihen shkaqet e vdekjes së bebes apo nëse rasti lidhet me coronavirusin.

Drejtori i Klinikës Obstetrike-Gjinekologjike bënë thirrje që spitalet rajonale të trajtojnë rastet e lehta të shtatzënive.

“Numri i lindjeve në Klinikën e Gjinekologjisë është duke u shtuar. Pardje kemi pasur 50 lindje kurse mbrëmë 30 lindje. Klinika e Gjinekologjisë është e stër ngarkuar. Kisha sugjeruar që spitalet regjionale të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale që të përfundojnë lindjet në mënyrë që neve të na mbeten vetëm rastet më të komplikuara”, deklaroi më tej Ismajli.

Ai thotë se ka pasur edhe staf nga kjo klinikë të prekur nga coronavirusi por që të njëjtit janë shëruar dhe tashmë janë kthyer në punë.